Historia e Gjirit të Guantanamos, ku pritet të dërgohen emigrantët me të kaluar kriminale
Presidenti Donald Trump, i cili e bëri dëbimin e emigrantëve të paligjshëm pjesë qendrore të fushatës dhe presidencës së tij, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të përdorin një qendër paraburgimi në Gjirin e Guantanamos në Kubë për të mbajtur dhjetëra mijëra “kriminelët më të këqinj të huaj”.
“Ne do t’i dërgojmë ata në Guantanamo”, tha zoti Trump gjatë nënshkrimit të ligjit “Laken Riley” për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm me të kaluar kriminale. Ligji mban emrin e studentes Laken Riley, e cila u vra në shtetin e Xhorxhias nga një imigrant i paligjshëm nga Venezuela.
Presidenti Trump më vonë nënshkroi një memorandum presidencial dhe tha se do t’i udhëzonte zyrtarët federalë që të bënin gati objektet për të pritur imigrantë me të kaluar kriminale, që ndodhen në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Zyrtari amerikan për çështjen e kufirit dhe imigracionit Tom Homan tha se Zyra amerikane e Imigracionit dhe Doganave do ta menaxhonte objektin. Megjithatë, detajet e planit nuk ishin menjëherë të qarta.
Më poshtë mund të lexoni një histori të bazës detare të Shteteve të Bashkuara, të njohur shkurt me emrin “Gitmo”.
Si e përdor qeveria amerikane bazën në Gjirin e Guantanamos?
Ndërsa baza detare e Shteteve të Bashkuara në Kubë është e njohur më së shumti për dërgimin e të dyshuarve për përfshirje në akte terrorizmi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ajo ka një strukturë të vogël dhe të veçantë, që për dekada është përdorur për të mbajtur emigrantë të ndaluar.
Qendra e Operacioneve të Migrantëve përdoret për njerëzit e kapur gjatë përpjekeve për të hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara me varka. Shumica prej tyre janë nga Haiti dhe Kuba.
Qendra zë një pjesë të vogël të bazës dhe nuk ka kapacitet për të strehuar 30,000 njerëz, që Presidenti Trump thotë se mund të dërgohen atje.
“Ne thjesht do ta zgjerojmë atë qendër ekzistuese emigrantësh”, tha zoti Homan për gazetarët.
Qendra e ndalimit të emigrantëve funksionon veçmas nga qendra e paraburgimit të ushtrisë dhe sallat e gjyqit për të huajt e ndaluar gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, në kuadër të operacionit “lufta kundër terrorit”. Në atë objekt strehohen 15 të burgosur, përfshirë të akuzuarin për organizim të sulmeve të 11 shtatorit 2001, Khalid Sheikh Mohammed. Në kulmin e operacioneve kundër terrorizmit në këtë qendër ndodheshin gati 800 njerëz të akuzuar për terrorizëm.
Kush do të mbahet në Guantanamo?
Objektet e paraburgimit të emigrantëve në Guantanamo do të përdoren për “kriminelët më të këqinj”, thanë zyrtarët e administratës.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem dhe zoti Homan përdorën këto fjalë gjatë një konference për shtypin jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë ishte më pak specifike, duke thënë se objekti i zgjeruar do të “siguronte hapësirë shtesë ndalimi për të huajt me histori kriminale që ndodhen në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, që është përparësia më e lartë dhe për t’iu përgjigjur nevojave të forcave të zbatimit të ligjeve të imigracionit”.
Një zyrtar i administratës, duke folur në kushte anonimiteti, tha se baza do të përdorej për të strehuar “kriminelët e rrezikshëm” dhe njerëzit që “është e vështirë të dëbohen”.
Një numër vendesh nuk po i pranojnë disa emigrantë që Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i dëbojnë.
Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për rreziqet me të cilat përballen amerikanët nga rreth 11 milionë emigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa emigrantët akuzohen rregullisht për kryerje të krimeve të mëdha, ata përbëjnë një përqindje të vogël të popullsisë së përgjithshme. Studimet e verifikuara akademike në përgjithësi nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis imigracionit dhe krimit të dhunshëm, megjithëse përfundimet e tyre janë të ndryshme.
Çfarë gjëra të tjera dihen për Qendrën e Operacioneve të Imigrantëve?
Jo shumë. Organizata jofitimprurëse Projekti Ndërkombëtar i Ndihmës për Refugjatët tha në një raport të vitit të kaluar se njerëzit mbahen në kushte “të ngjashme me ato të burgjeve”. Raporti thotë se njerëzit në këtë qendër “bllokohen në një sistem ndëshkues” për një kohë të pacaktuar, pa asnjë përgjegjësi për zyrtarët që e menaxhojnë atë.
Deepa Alagesan, një avokate e lartë mbikëqyrëse me grupin, tha të mërkurën se qendra përdoret për të mbajtur një numër të vogël njerëzish.
Ajo theksoi se mundësia e përdorimit të kësaj qendre për strehimin e më shumë emigrantëve është shqetësuese.
“Është padyshim një perspektivë e frikshme”, tha ajo.
A kanë Shtetet Bashkuara hapësirë të mjaftueshme paraburgimi për planet e Presidentit Trump?
Presidenti Trump është zotuar të dëbojë miliona njerëz që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, por buxheti aktual i Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave ka fonde të mjaftueshme për të arrestuar rreth 41,000 njerëz.
Agjencia e Imigracionit dhe Doganave i ndalon emigrantët në qendrat e saj, objektet e paraburgimit të operuara nga kompani private, burgjet federale dhe ato lokale. Ajo nuk ka hapësira të përshtatshme për ndalimin e familjeve, që përbëjnë afërsisht një të tretën e emigrantëve që hyjnë në vend përmes kufirit jugor.
Gjatë mandatit të parë të tij të parë, Presidentit Trump autorizoi përdorimin e bazave ushtarake për mbajtjen e fëmijëve emigrantë. Në vitin 2014, Presidenti i atëhershëm Barack Obama u mbështet përkohësisht në bazat ushtarake për të ndaluar fëmijët emigrantë ndërsa zgjeroi qendrat e ndalimit për familjet të operuara nga kompani private për të mbajtur shumë nga dhjetëra mijëra familje emigrantësh nga Amerika Qendrore të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin.
Bazat ushtarake amerikane janë përdorur në mënyrë të përsëritur që nga vitet 1970 për të strehuar valët e emigrantëve nga Vietnami, Kuba, Haiti, Kosova dhe Afganistani.
Çfarë thonë avokatët për rastet e 11 shtatorit 2001?
Vendimi për të dërguar emigrantë në Guantanamo “duhet të na tmerrojë të gjithëve”, tha një qendër e mbrojtjes ligjore, e cila që nga sulmet e 11 shtatorit ka përfaqësuar dhjetëra njerëz të ndaluar, që mbaheshin në bazën amerikane.
Urdhri i Presidentit Trump “dërgon një mesazh të qartë: emigrantët dhe azilkërkuesit shihen si kërcënim i ri terrorist, që meritojnë të hidhen në një burg ishull, të shkëputen nga shërbimet dhe mbështetja ligjore dhe sociale”, tha përmes një deklarate Vince Warren, drejtori ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat Kushtetuese me seli në Nju Jork.
Reagimi i Kubës
Shtetet e Bashkuara kanë marrë me qera Guantanamon nga Kuba për më shumë se një shekull. Kuba e kundërshton qeranë dhe zakonisht refuzon pagesat e qerasë nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët qeveritarë kritikuan lajmin të mërkurën. Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel përmes një mesazhi në platfromën X e konsideroi vendimin “një akt brutaliteti” dhe theksoi se baza “ndodhet në territorin e Kubës të pushtuar ilegalisht”.
Ministri i Jashtëm Bruno Rodríguez tha përmes një postimi në rrjetin social X se “Vendimi i qeverisë amerikane për të burgosur emigrantët në bazën detare të Guantanamos, në një zonë ku krijoi qendra të torturës dhe ndalimit pa afat, tregon një përbuzje për të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar”./VOA
Fraksion.com