AktualitetTë fundit

Falsifikuan dokumentat e karburantit e materialet për shtrimin e rrugëve, 6 punonjës të bashkisë Devoll dërgohen në gjyq

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë persona, punonjës të Bashkisë Devoll, të akuzuar për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentave’.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.326 të vitit 2023, prokuroria arriti në përfundim se shtetasit G.K., me detyrë drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative, A.C., përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve në Agjencinë e Shërbimeve Publike, K.M., përgjegjës në sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike, E.N., magazinier në Sektorin e Menaxhimit Financiar, dhe H.Ç. e J.B. me detyrë shoferë, kanë konsumuar veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Këta shtetas u kallëzuan nga shtetasi B.N., për procedurën e prokurimit me objekt blerje mallra e materiale ndërtimi për nevojat e bashkisë Devoll. Kallëzuesi denoncoi se pas kryerjes së procedurës është shpallur fituesi dhe u kryen në mënyrë fiktive si procedurat e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve ashtu dhe dalja e tyre nga magazinimi dhe përdorimi në punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë.

Nga hetimet dhe këqyrja e pamjeve filmike, prokuroria vërtetoi se makinat të cilat duhet të kryenin transportin e materialeve, nuk kanë lëvizur si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të gjithë periudhën e plotësuar për transport çakulli, mbeturinë për mbushje, ashtu sikurse është paraqitur në fletë udhëtimet dhe situacionet e punimeve të transportimit të këtij materiali ndërtimi.

Sa më sipër, në analizë të përfundimeve rezultoi se mjetet nuk justifikojnë shpenzimet në drejtim të karburantit të përdorur, por edhe rrugëve që kanë bërë për transportin e çakullit për shtrim rrugësh. Mjetet nuk lëvizin në asnjë moment nga magazina për të gjithë periudhën e dhënë dhe ndërkohë janë dokumentuar shpenzime në drejtim të përdorimit të karburantit dhe transport materialesh, i cili nuk është kryer faktikisht me këtë mjet. Ato nuk justifikojnë shpenzimet e kryera dhe pasqyrojnë të dhëna të rreme në drejtim të rrugëve që kanë kryer për transportin e materialeve për sistemimin e rrugëve.
Në këto rrethana personat përgjegjës që kanë nënshkruar fletët e udhëtimit duke pasqyruar në to të dhëna të rreme, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

 

Fraksion.com