Besimi i publikut tek Policia, Rama: Ndan faktet nga fabrikimet mediatike të baltosjes
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot anketimin e pavarur për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë dhe besimin tek Policia e Shtetit, si një instrument për të ndarë faktet nga fabrikimet, dhe nga realitetin medietik i baltosjes së punës së tyre.
Gjatë prezantimit të anketimit të financuar nga qeveria suedeze, Rama u shpreh se anketimi shërben për të ndarë pasqyrën e ecurisë së Shqipërisë në fushën që mbulon Policia e Shtetit me pasqyrat e deformuara të ekraneve, portaleve e medieve sociale, ku Policia e Shtetit bëhet rëndom shënjestër e akuzave, shpifjeve dhe gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.
“Kemi një realitet mediatik të baltosjes së punës së tyre nga urrejtja politike dhe mediatike për qeverinë, por që falangat e urrejtjes padrejtësisht lëshohen edhe kundër Policisë së Shtetit sa herë që gjendet qoftë edhe sebepi më i vogël”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri theksoi se siguria nuk është vetëm atribut i Policisë por dhe i një sërë aktorësh së bashku.
“Është atribut i bashkive, institucioneve të shëndetësisë, të arsimit, drejtësisë, teknologjisë dixhitale dhe vetë qytetarëve që janë baza e sigurisë”, tha Rama.
Në këtë drejtim ai vlerësoi rolin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet, një organizëm i krijuar rishtazi fundvitin e shkuar me një vendim të posaçëm të qeverisë shqiptare.
Rama tha se kjo është një strukturë që i shtohet arkitekturës institucionale të sigurisë publike me objektivin për koordinimin mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore për çështje të sigurisë.
“Kjo hapësirë e përbashkët ndërinstitucionale me përfshirjen e përfaqësuesve të komunitetit është shprehje e vullnetit për të qenë në reflektim të vazhdueshëm dhe për të përmirësuar vazhdimisht funksionimin e shtetit në raport me qytetarin. Si e tillë meriton edhe mbështetje pa rezervë nga të gjithë aktorët e përfshirë, nga qeveria në radhë të parë”, tha Rama.
Fraksion.com