AktualitetTë fundit

Anketimi për sigurinë dhe besimin tek Policia e Shtetit: 82% e të anketuarve ndihen “të sigurt” ose “shumë të sigurt”

Ministria e Brendshme prezantoi sot anketimin e financuar nga qeveria suedeze, për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vendin tonë dhe besimit tek Policia e Shtetit.

Ky anketim tërësisht i pavarur, kryhet për të gjashtën herë me iniciativën dhe nën mbikëqyrjen e qeverisë suedeze. Objektivi i këtij studimi është matja e nivelit të kënaqësisë me punën e Policisë së Shtetit.

Metodologjia e kësaj ankete është mbështetur tek “European Social Survey” duke lejuar dhe krahasime me vendet e tjera.

Auron Pasha, Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i “IDRA Reseach & Consulting” tha në fjalën e tij se “kjo është një anketë kombëtare me një kampion prej 1900 personash të rritur 18 vjeç e sipër. Kjo anketë na jep mundësi të kemi krahasime edhe në vite edhe mes vendeve të ndryshme. Anketa është realizuar në periudhën tetor-nëntor”.

Duke prezantuar rezultatet që kanë të bëjnë me ndjesinë e sigurisë që kanë qytetarët, pyetjes sa i sigurt ndiheni kur ecni vetëm në lagjen tuaj pasi është errësuar?, Pasha tha se “82% e të anketuarve shprehen se janë të “sigurt” ose “shumë të sigurt” në lagje gjatë natës. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013 shikojmë një trend rritës të kësaj ndjesie sigurie

Pyetjes, “Sa shpesh shqetësoheni se mos bëheni viktimë e një ndonjë krimi të dhunshëm, Pasha tha se “rreth 22% e të anketuarve thonë se shqetësohen se mos bëhen viktimë e ndonjë krimi (ndonjëherë 18% ose gjatë gjithë kohës 3%). Ndërkohë gati 78% nuk shqetësohen “asnjëherë ose “rrallë””.

Ndërsa pyetjes, “Sa mundësi ka që ju mund të kapeni dhe të dënoheni nëse shkelni rregullat e qarkullimit rrugor si tejkalim shpejtësie apo kalim me semafor të kuq, Pasha tha se “82% e të anketuarve thonë se do të kapen dhe dënohen nëse shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe rreth 17% mendojnë se kjo nuk ka mundësi të ndodhi”.

Sa i përket pyetjes sa të kënaqur jeni ndjerë me mënyrën se si ju ka trajtuar Policia e Shtetit gjatë këtij kontakti, Pasha tha se “rreth 53% thonë se janë të pakënaqur për mënyrën se si janë trajtuar nga policia kurse gati 35% e të anketuarve shprehen se janë të kënaqur me mënyrën se si janë trajtuar nga policia”.

Pyetjes tjetër “Duke pasur parasysh të gjitha detyrat që Policia e Shtetit pritet të kryejë do të thoni se ata janë duke bërë një punë të mirë apo një punë të keqe, Pasha tha se “65% e të anketuarve thonë se Policia e Shtetit po bën një punë të mirë ose shumë të mirë , 27 % janë neutral dhe 8% e vlerësojnë dobët”.

 

Fraksion.com