AktualitetTë fundit

Rama ndan fotoalbumin nga lamtumira e fundit për Kryepeshkopin Anastas

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot, fotoalbumin nga shërbesa e përcjelljes për në jetën e amshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos.

Kryeministri Rama, shprehet në postimin në rrjetet sociale, se dita e sotme ishte një “ditë zie në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, ku sot iu dha lamtumira e fundit kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Kujtojmë që kryeministri Rama mbajti sot një fjalë në nderim të figurës dhe kontributit të tij prej disa dekadash në Shqipëri.

Kryeministri u ndal te roli i Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare si dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë mes Shqipërisë e Greqisë.

“Si një hierark i një bashkësie shoqërore historike me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar, janë qortuar e deri edhe janë anatemuar,” u shpreh Rama.

Rama tha se, “pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës”.

“Por, edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë e në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithmonë e më pak mundësi i lihet shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë, siç shkruhet tek ‘Gjeneza’,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se prania në këtë ceremoni e Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe delegacionit që e shoqëronte jep mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.

“Me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua edhe miku im, kryeministri Mitsotakis, i cili na nderon sot me praninë e Tij dhe delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të Kryepeshkopit, Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht, duke dhënë njëkohësisht me këtë prani mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë,” theksoi Rama.

 

Fraksion.com

 

 

Fraksion.com