Policia sekuestron kokainë dhe heroinë me vlerë 810 mijë euro, dy të arrestuar në Vlorë
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Vortex”, i cili u finalizua pas 4 javësh hetime, policia e Vlorës në bashkëpunim me atë të Fierit kanë sekuestruar kokainë dhe heroinë me vlerë rreth 810 mijë euro.
Policia njofton se gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier.
“Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur”, njofton policia.
Sipas policisë në vijim të veprimeve, strukturat e policisë së Vlorës mbështetur dhe nga shërbimet e policisë së Fieriut, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdhaja në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza”, njofton policia.
Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia bëri të ditur se vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /j.p/
Fraksion.com