Pas varrimit të Kryepeshkopit Janullatos, takim “kokë më kokë” mes Mitsotakis dhe Ramës
Një takim kokë më kokë ka pasur mes Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Ramës, pas varrimit të kryepeshkopit Anastas që siç komentohet nga qarqet diplomatike është bërë nën frymën e idesë së idesë së ekumenizmit të mbrojtur aq shumë nga i ndjeri kryepeshkop i Shqipërisë.
Ende nuk është bërë e njohur se çfarë saktësisht thanë dy liderët në një takim dhjetë minutësh që kanë pasur, për me tepër në një varrim të tillë madhështor të Kryepeshkopit, ku marrëdhëniet dhe çështjet e rëndësishme mes dy vendeve nuk përbëjnë temën kryesore të bisedimeve, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku.
Nga ana e tij Edi Rama ka deklaruar se “me zotin Mitsotakis jemi miq. Ai erdhi këtu dhe unë kam nderin të jem një mikpritës i mirë. Kështu pimë një kafe, folëm për gjëra të ndryshme dhe nuk kam çfarë gjë tjetër të ndaj me ju. Nuk ka asnjë problem. Gjithçka është në rregull”, ka theksuar ai.
Mediat greke gjithsesi komentojnë faktin se sa afër mund të sjellë besimi popujt e Ballkanit ,edhe ata me fe të ndryshme, në një rajon kur këto fe shpeshherë kanë qenë historikisht përçarëse. Gjithashtu vetë i ndjeri kryepeshkopi Anastas, thonë ato, ishte hierarku që në të njëjtën kohë mundi të shuguronte klerikët shqiptarë, të përcaktonte shqipen si gjuhë zyrtare të Kishës, por edhe të fliste apo këndonte psalmet nëpër kisha në greqisht.
Dhe ky fakt u pa sot kur në një ceremoni disa orëshe, fjalimet dhe psalmet ishin në shqip dhe në greqisht, dy gjuhët që u dëgjuan gjatë gjithë transmetimit të drejtpërdrejtë nga televizioni publik ERT.
Fraksion.com