Në fjalën e tij nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tërëshenjtëria e tij, Bartolomeu deklaroi se kryepeshkopi Anastas ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Ortodokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist gjatë diktaturës i bëri të krishterëve.

Fjala e plotë:

Fort të lumtur Vëllezër dhe Bashkëmeshtarë, Fort i nderuari Mitropolit i Korçës, hirësi Joani, Mbikëqyrës i Fronit vakant Kryepiskopal të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fort të nderuar Përfaqësues të hirshëm dhe perëndidashës të Kishave të Shenjta Lokale të Perëndisë, Fort e nderuar Hierarki e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Shkëlqesia juaj, z. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia juaj, z. Kryeministër dhe përfaqësues të tjerë të nderuar të vendit, Shkëlqesia juaj, z. Kryeministër i Greqisë, Të nderuar Përfaqësues të Besimeve të Krishtera dhe të Feve të tjera, Shkëlqesi përfaqësues të Misioneve Diplomatike këtu të pranishëm, I nderuari Arkond dhe Logothet i Madh, z. Theodhor Angelopulos, Klerikë të respektuar të të gjitha gradave, murgj dhe murgesha oshënarë, Popull i Zotit, zimbajtës!

Një detyrë e dhimbshme na ka mbledhur sot në kryeqytetin e Shqipërisë! Shtylla e madhe e Kishës Orthodhokse në Shqipëri ka rënë! Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka ndërruar jetë pranë Zotit! Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbja e një Ati shpirtëror dhe udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzore!
Anastasi ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve.

Kur ai regjim ra dhe u krijua mundësia për rindërtimin e kishës këtu, Kisha e Shenjtë Mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, nisi kërkimin për një burrë të pajisur me cilësi të veçanta, i cili do të mund të merrte përsipër shpëtimin e anijes së tronditur nga stuhitë. Ky burrë duhej të mishëronte virtytin, zgjuarsinë, vendosmërinë, shpirtin luftarak, punën e palodhur, zgjuarsinë diplomatike, njohjen ndërkombëtare, nëse ishte e mundur, besimin e palëkundur në misionin e shenjtë, përkushtimin ndaj traditave të shenjta dhe dashurinë për popullin e vuajtur të Zotit.

Të gjitha këto cilësi i gjetëm tek Mitropoliti i atëhershëm titullar i Andrusës, një njeri i dalluar që kishte ndritur në misionin e tij në Afrikë dhe që kishte fituar një emër të respektuar në botën akademike. Me përkushtimin dhe urtësinë e tij, ai ishte bërë një figurë e spikatur dhe e respektuar në Kishë, në mënyrën më të mirë të mundshme!
Me origjinë nga Lefkado-Kefalonia, Anastasi i ndjerë lindi në Pire dhe që në rininë e tij u përkushtua me zemër në misionarizmin e brendshëm, duke u mësuar mijëra të rinjve devocionin ndaj Perëndisë. Vetë jeta e tij ishte një mrekulli e Zotit! Nëna e tij, një grua me besim të patundur, refuzoi me vendosmëri këshillën e mjekëve për të kryer abort, pasi vuante nga tuberkulozi dhe ata e konsideronin vdekjen të pashmangshme, si për të, ashtu edhe për fëmijën që mbante në bark. Dhe fatmirësisht që ndodhi kështu, sepse fëmija që ajo solli në jetë u bë një burrë i shquar, i cili sot, pas 95 viteve jetë të ndritur, prehet përpara nesh, pasi përmbushi një mision të lavdishëm kishtar dhe njerëzor.

Anastasi kishte një dashuri të veçantë për dijet dhe u dallua si një studiues i shkëlqyer i shkencave religjioze, duke i prezantuar botës orthodhokse Islamin, Judaizmin, Budizmin dhe besimet afrikane. Përmes kësaj pune, ai kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë me besimet e tjera, që sot jetojnë pranë nesh, dhe në kultivimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës dhe të mirëkuptimit.
Dashuria e tij e madhe ishte padyshim misionarizmi i jashtëm, të cilit i kushtoi vitet më të bukura të rinisë së tij. Ai vendosi themele të forta, formoi kuadro të shquar në të gjitha nivelet e priftërisë dhe e ngriti lart emrin dhe imazhin e Patriarkanës së lashtë të Aleksandrisë!

Si Drejtor i Shërbesës Apostolike (Apostoliki Diakonia) të Kishës së Greqisë, ai ndërmori botimin e Teksteve Patristike, duke kontribuar në largimin nga ndikimet e huaja, që mbizotëruan deri në vitet ’60, dhe orientimin drejt frymës autentike orthodhokse. Ai i drejtoi lexuesit tek burimet e freskëta të ujërave shpirtërore dhe buka e shëndoshë e Teologjisë Patristike.

Prania e tij në Lëvizjen Ekumenike dhe në Këshillin Botëror të Kishave kishte gjithmonë një shije të fortë orthodhokse dhe patristike, duke dhënë një shembull të qartë të besimit të tij të palëkundur. Ai ishte gjithashtu shpirti i “Syndesmos,” Organizatës Botërore të Lëvizjeve Orthodhokse Rinore, ku rreshtohej ndër themeluesit e saj, duke ofruar një frymë të gjallë dhe vizion për brezat e rinj. Kisha e Shqipërisë, që nga shpallja e saj si Autoqefale, ka përjetuar një histori të trazuar, kryesisht për arsye politike. Por tragjedia më e madhe e saj ndodhi kur regjimi ateist vendosi “shfuqizimin” e fesë, duke persekutuar klerikët, duke i përjashtuar ata nga funksionet e tyre, duke ndaluar çdo akt liturgjik dhe duke e kthyer Kishën në një Kishë të përndjekur, një Kishë të katakombeve.

Në vitin 1991, Patriarkana Ekumenike, duke përmbushur detyrimin e saj për t’u kujdesur për të gjitha Kishat në vështirësi, e thirri Kryepiskopin e ndjerë Anastas dhe e dërgoi në Shqipëri si Ekzark Patriarkal, për të vendosur themele të reja dhe për të sjellë mesazhin e Ringjalljes tek populli i vuajtur orthodhoks i këtij vendi. Pas një viti e gjysmë, si kishte dëshmuar punë të shkëlqyera në ringjalljen e kishës, më 24 qershor 1992, ai u zgjodh dhe u vendos Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Sigurisht, shërbesa e tij baritore nuk ishte pa furtuna!

Ai e udhëhoqi Kishën nëpër rrugë të ngushta dhe përmes sfidave të mëdha, duke ecur shpeshherë në tehun e shpatës. Megjithatë, ai zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur dhe për të gjetur burimet e nevojshme për ringjalljen e Kishës nga hiri. Kishat, manastiret, shkollat, Seminari Teologjik dhe Klerikal, spitalet dhe institucionet e tjera në shërbim të komunitetit janë vetëm disa nga arritjet e shumta të tij.

Nga natyra ishte i ëmbël dhe i butë, i durueshëm aty ku duhej, por i patundur dhe i palëkundur aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Si diplomat me aftësi të rralla, ai dinte të lëmonte gjembat, të shmangte konfliktet, të shëronte plagët, të formonte shpirtrat dhe të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor. Do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur, çdo gjë të ndritur, çdo gjë të pëlqyeshme nga Perëndia, çdo gjë që Kryepiskopi i ndjerë ndërtoi për Kishën. I japim lavdi Zotit, që i dhuroi Kishës së sotme një Kryeprift të kalibrit të madh shpirtëror si Anastas Janullatos! Anastasi, si personalitet dhe si Kryepiskop, është padyshim i pazëvendësueshëm! Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale.

Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë! Vëlla Anastasi! Të përshëndesim nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, duke u lutur që të prehesh me të drejtët dhe shenjtorët! I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi yt!