AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Vengu: Në vitin 2025, do të ndërtojmë 12 ura të reja “Bailey”

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se gjatë vitit 2025, planifikohet që të ndërtohen 12 ura të reja “Bailey” në disa nga zonat e vendit, ku ato janë më të nevojshme.

Urat, si pjesë që lidhin komunitetet, ndihmojnë jo vetëm në çështjet e sigurisë, por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të vazhdojnë misionin për ndërtimin e tyre.

Ministri Vengu, në një postim në rrjetet sociale solli në vëmendje historinë e majorit Arben Rira, që është i angazhuar prej vitesh në misionin e ndërtimit të këtyre urave nga jugu në veri të vendit

“Pjesë e Batalionit të Xhenios, ai dhe kolegët e tij nuk punojnë thjesht me hekur e dru, por ata ndërtojnë ura komunikimi për mijëra njerëz në mbarë Shqipërinë”, thotë Vengu.

Ministri i Mbrojtjes thekson faktin se urat janë vepra që lidhin krahina dhe njerëz, duke ua lehtësuar ndjeshëm jetën shqiptarëve në përditshmërinë e tyre.

“Prandaj misioni i Forcave të Armatosura do të vazhdojë me ritme edhe më të larta në vitin 2025, me ndërtimin e 12 urave të reja “Bailey””, pohon ministri Vengu.

Majori Arben Rira si pjesë e batalionit të Xhenio dhe komandat i kompanisë Ura, thotë se detyra e tij është ndërtimi i urave në raste emergjencash, në raste stërvitjesh në  batalionin e Xhenios, por edhe në kohë normale.

“Kjo punë duket si e njëjtë çdo ditë, por në të vërtetë është një gjë e re çdo ditë. Ne bëjmë shumë punë në komunitet dhe kur e shikon një urë që përfundon merr një buzëqeshje të njerëzve, një falënderim dhe për ne është një ogur i mirë. Gjatë periudhës që unë kam qenë komandat i kompanisë mund të themi që janë ndërtuar 2,300 metra urë “Bailey” në gjithë territorin e Shqipërisë”, thotë ai.

 

Fraksion.com