AktualitetPolitikëTë fundit

Laborator i medieve digjitale në departamentin e Gazetarisë, Manastirliu: 1,7 milionë dollarë për Universitetin e Tiranës

Studentët dhe pedagogët e departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, kanë tashmë në dispozicion Laboratorin e Integruar të Medieve Digjitale. Ky laborator, i inauguruar sot, është një investim i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Laboratori synon të krijojë një standard të ri për kërkimin dhe mësimdhënien në fushën e komunikimit dhe medieve digjitale. Gjatë aktivitetit të përurimit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, të shoqëruar nga rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, dekani i Fakultetit Histori-Filologji Mark Marku, drejtuesja e departamentit të Gazetarisë Iris Luarasi dhe pedagogë të këtij fakulteti, vizituan laboratorin e ri, teksa Kryeministri Edi Rama realizoi edhe një podkast të shkurtër me studentët.

Ky laborator, i cili ka teknologjinë më të avancuar, do të shërbejë për praktikat mësimore të studentëve të Gazetarisë dhe jo vetëm.

Ministrja Manastirliu u shpreh se, “ky është laboratori më i ri që departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ka investuar, përmes fondeve të qeverisë shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Kjo, në funksion të rritje së cilësisë së mësimdhënies, por edhe të gjithë mundësive të reja që krijohen për të rinjtë”.

“Nëpërmjet këtij laboratori të medieve digjitale do të kenë mundësi jo vetëm studentët, por edhe pedagogët, të zhvillojnë hulumtime në fushën e medieve, por edhe të bëhen pikë reference për shpërndarjen e informacionit, të vërtetë jo atij fake, dhe për të luftuar fake news-in, por pse jo, për t’u bërë një qendër për të gjithë universitetet tona për shkëmbimin e informacionit”, tha Manastirliu.

Ministrja u shpreh se, “Universiteti i Tiranës është një prej universiteteve që gëzon më shumë mbështetje nga fondet e kërkimit shkencor dhe inovacionit. Vetëm për 2024-ën janë 24 projekte të kërkimit shkencor, pra për investime në infrastrukturë, por edhe projekte që vetë pedagogët mbështeten për studime të ndryshme. Janë rreth 1,7 milionë dollarë të alokuara për Universitetin, për laboratorë të tillë, por edhe për studime të ndryshme që vetë pedagogët bëjnë”.

“Krahasuar viti pas viti ne kemi rritur fondet e kërkimit shkencor. Kemi arritur në 130 projekte për infrastrukturën e kërkimit dhe për projekte të studimeve. Duam të hapim një tjetër program të ri për mbështetjen dhe financimin e doktoraturave për ato fusha të prioriteteve që qeveria shqiptare ka, por që edhe vetë universitetet kanë. Kështu që ky vit do të ketë edhe të reja sa i përket mbështetjes së financimit për doktoraturat”, tha ministrja Manastirliu.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Mark Marku u shpreh se, “ky është një laborator me teknologjitë më të avancuara. Praktikisht ne mbyllim të gjithë ciklin e prodhimit të përmbajtjeve dhe është menduar që praktikisht këtu të prodhohen gazetarët e së ardhmes”.

“Është konceptuar, pikërisht për shkak të bashkimit të teknologjive të komunikimit dhe të konvergimit pastaj edhe të prodhimit të përmbajtjeve që gjithçka të bëhet brenda”.

“Kjo është si një redaksi multimediale”, u shpreh kryeministri Rama.

“Po, është redaksi multimediale, dhe ne mund të dalim direkt në transmetim dhe i realizon të gjitha proceset e prodhimit”, tha Marku.

Ky laborator do të ofrojë mbështetje për rreth 450 studentë dhe 48 pedagogë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, duke krijuar një hapësirë unike për studimin dhe prodhimin e përmbajtjeve audiovizive, eksperimentimin me teknologji të reja dhe zhvillimin e projekteve shkencore që pasqyrojnë zhvillimet më të fundit në fushën e medieve.

Ky është një prej investimeve strategjike të realizuara nga shteti shqiptar për kërkimin shkencor, ndërkohë që buxheti për vitin 2025 për këtë sektor ka arritur shifrën e 1 miliard e 491 milionë lekëve, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.
Aktiviteti u zhvillua në praninë e pedagogëve, studentëve, përfaqësuesve të AKKSHI dhe autoriteteve të Universitetit të Tiranës.


Fraksion.com