Jep dorëheqje kryeministri i Serbisë
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.
Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranauar vendimin e tij.
“Unë besoj se politika që unë përfaqësoj, partia që unë drejtoj, duhet të demonstrojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të futë norma të reja në politikën serbe, duke dëshmuar se është e përgjegjshme”, tha Vuçeviq, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.
Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.
Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.
Vuçeviq tha se “pas ngjarjeve të mbrëmshme, dorëheqja nga posti i kryeministrit është vendim i parevokueshëm”.
“Unë do ta kryej punën time derisa të zgjidhet Qeveria e re. Kjo qeveri tani është në mandat teknik, në dorëheqje”, tha ai.
Natën mes 27 dhe 28 janarit, disa studentë thanë se u sulmuan gjatë protestave në Novi Sad.
Një studente, A.V., u pranua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Vojvodinës.
Sipas raportimeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, incidenti ndodhi jashtë ambienteve të Partisë Përparimtare Serbe.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.
Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.
Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Pasi që i renditi ato që i cilësoi si suksese të Qeverisë së tij, Vuçeviq tha se ajo që hodhi hije të madhe mbi mandatin e tij, ishte ngjarja në Novi Sad.
“Që nga ai moment, Serbia sikur ka mbetur e ngujuar në atë fatkeqësi”, tha ai dhe paralajmëroi, gjithashtu, se gjatë ditës do të japë dorëheqje edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.
“Kryetari i Novi Sadit dhe unë e konsiderojmë veten objektivisht përgjegjës për atë që ka ndodhur në Novi Sad dhe, për këtë arsye, e paguajmë me dëshirë çmimin politik”, tha kryeministri i dorëhequr serb.
Me këtë veprim, sipas tij, plotësohen edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve më ekstremë.
“Le të çojë kjo në qetësimin e situatës dhe në kthimin e dialogut politik e shoqëror”, shtoi ai.
Çfarë ka më tej?
Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.
Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e kryeministrit.
Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.
Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja./REL
Fraksion.com