AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku: Produktet shqiptare, drejt tregjeve të SHBA

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë vizitoi sot në Divjakë fabrikën e përpunimit të qumështit “Extra Milk”, produktet e të cilës tregtohen sot edhe në Shtetet e Bashkuara.

Zëvendëskryeministrja theksoi rëndësinë e këtyre industrive për sektorin e bujqësisë.

“Nëse do të ndalonte vetëm tek bujqësia, nuk do të kishte rezultatin e duhur, pasi cilësia e parë dhe e dytë mund të tregtohej, ndërsa cilësitë e tjera mund të përpunohen dhe në këtë mënyrë mund të kemi produkte vendase që eksportohen”, u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.

Po ashtu vuri theksin edhe te sektori i turizmit, pasi sipas saj, zhvillimi i turizmit nxit edhe rritjen e prodhimeve bujqësore.

“Të gjitha këto së bashku mund të përdoren tek sektori i turizmit në vend. Pasi turistët, kur vijnë, nuk vijnë për të konsumuar produktet e importuara, por dëshirojnë të konsumojnë produktet shqiptare. Në këtë mënyrë, industria e agropërpunimit ndihmon fermerët duke shfrytëzuar kapacitetet e prodhimit. Industria agropërpunuese është një hallkë kyçe për rritjen e vlerës së prodhimeve bujqësore vendase”, tha Balluku.

Kompania “Extra Milk” jo vetëm është konsoliduar në tregun tonë, përmes tregtimit të produkteve cilësore e të veçanta, por i eksporton prodhimet e saj edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Kam marrë një mision, kam vendosur të promovoj njerëzit punëtorë të qarkut të Fierit që njihet edhe si hambari i Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Kompania bashkëpunon me afro 1800 familje fermerësh, në Divjakë e më gjerë, ndërsa planet janë që të zgjerohet edhe më tej, duke shtuar prodhimin dhe llojet e produkteve.

 

Fraksion.com