Mijëra palestinezë nisin të kthehen në veri të Gazës
Dhjetëra mijëra palestinezë janë nisur të hënën në rrugën kryesore që çon në veri të Gazës, pasi Hamasi është pajtuar që t’i dorëzojë tri pengje izraelite këtë javë, dhe pasi forcat ushtarake izraelite kanë nisur të tërhiqen prej korridorit kryesor të enklavës.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një turmë e madhe njerëzish, disa duke mbajtur foshnje apo gjësende të domosdoshme nëpër duar, janë nisur në këmbë drejt veriut të Gazës.
“Më duket sikur të kem lindur sërish dhe të jemi fitimtarë sërish”, ka thënë një nënë palestineze për agjencinë e lajmeve Reuters.
Dëshmitarët kanë thënë se banorët e parë kanë mbërritur në qytetin e Gazës herët në mëngjes.
Më vonë janë hapur edhe tri pikëkalime tjera, duke mundësuar edhe qarkullimin e makinave.
“Zemra po më rrah fort. Kam menduar që nuk do të kthehem më kurrë”, ka thënë Osama, 50 vjeç, shërbyes publik dhe baba i pesë fëmijëve, teksa ka arritur në qytetin e Gazës.
“Pavarësisht se a do të ketë sukses armëpushimi, ne nuk do të largohemi më kurrë nga qyteti i Gazës dhe veriu, edhe nëse Izraeli sjell tanke për secilin prej nesh, nuk do të ketë më zhvendosje”.
Duke pasur parasysh faktin se banorët e Gazës janë shpërngulur disa herë përgjatë 15 muajve të luftës, turma njerëzish janë larguar me gëzim prej tendave dhe kampeve kur kanë marrë vesh lajmin që pikëkalimet do të hapen.
“Nuk kam fjetur, i kam bërë gati të gjitha gjërat për t’u nisur qysh në agim”, ka thënë Ghada, nënë e pesë fëmijëve.
“Të paktën jemi duke shkuar në shtëpi, tani mund të them se lufta ka përfunduar dhe shpresoj të jetë gjithçka qetë”, ka thënë ajo për Reuters.
Sipas marrëveshjes për armëpushim, banorët e veriut të Gazës do të duhej të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre në fundjavë.
Mirëpo, Izraeli ka thënë se Hamasi e ka prishur marrëveshjen, meqë nuk e ka liruar gruan e marrë peng, Arbel Yehud.
Të dielën vonë, ndërmjetësuesit e Katarit e kanë zgjidhur këtë mosmarrëveshje, dhe Hamasi është pajtuar që ta lirojë Yehudin bashkë me ushtaren Agam Berger, dhe një peng tjetër të enjten, dy ditë para lirimit të tri pengjeve tjera.
Izraeli më pas e ka dhënë dritën e gjelbër që banorët e veriut të Gazës të mund të kthehen në vendbanimet e tyre prej të hënës.
Rreth 650.000 njerëz janë zhvendosur nga veriu i Gazës përgjatë luftës, e cila është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.
Më shumë se 47.000 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Një pjesë e mirë e Gazës është shkatërruar nga luftimet dhe autoritetet nën dirigjim të Hamasit kanë thënë se banorët e kthyer në veri të Gazës do të kenë nevojë për mijëra tenda dhe qendra strehimi, teksa tentojnë t’i rikthehen normalitetit.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, vetëm personat e paarmatosur do të mund të kthehen në zonën veriore. Makinat do të kontrollohen në hollësi, nëse kanë ndonjë armë apo lëndë shpërthyese./REL
Fraksion.com