AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Do të vendosë Këshilli Kombëtar nëse drejtuesit e qarqeve do të futen në primare

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë me gazetarët tha se çdo kryetar dege që nuk jep dorëheqjen, nuk mund të hyjë në primare.

Sipas Berishës, kjo përbën detyrim statutor në mënyrë që gara të jetë e barabartë për të gjithë kandidatët.

“Me sa di unë kanë dhënë dorëheqjen pesë kryetarë degësh dhe kjo nuk është një shifër përfundimtare. Dhe kjo përbën një detyrim statutor në mënyrë që dega e PD, votimi dhe të gjitha të jenë distante me të gjithë kandidatët. Kryetari i degës që duhet të hyjë në primare, duhet të respektojë statutin”, u shpreh Berisha.

“Kryetari i degës plotëson çdo kriter për të qenë kandidat dhe deputet, por ai ka detyrimin të respektojë statutin dhe të hyjë në garë, ndërkohë drejtimi i partisë merret nga një person i komanduar, i cili si rregull duhet të jetë nënkryetar, se zgjedhje nuk bëhen dot tani”, sqaroi ai.

I pyetur nëse do të futen drejtuesit e qarqeve në primare, Berisha tha se kjo do të vendoset nga Këshilli Kombëtar.

“Së pari, nuk po orientoj asgjë, sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin. Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Unë nuk kam ndërmend t’i ndikoj askujt paraprakisht me qëndrimin tim. Kam ndërmend që këtë ta diskutojmë në Këshillin Kombëtar, se nuk ka kuptim nëse unë paragjykoj ose jap mendime paraprake. Jo, Këshilli Kombëtar do vendosë”, tha Berisha.

Duke u ndalur tek vota e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Berisha tha se diaspora kërkon në unanimitet që të njihen dokumentet biometrike të vendit ku jetojnë.

“Por po hapen zyra nga mbështetësit tanë, se ne nuk i përballojmë, ku ofrohet ndihmë për të gjithë ata që kanë vështirësi në regjistrimet si votues në portalin e KQZ. Pra, ajo që mund të them unë është diaspora është shumë entuziaste, por kërkon në unanimitet që dokumentet e tyre biometrike të vendit ku jetojnë të jenë të vlefshme”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se do të jetë i ftuar në kongresin elektoral të CDU në Gjermani, ndërsa shtoi se ka edhe një axhendë për takime me diasporën.

“Në Gjermani jam i ftuar për të marrë pjesë si kryetar partie në kongresin elektoral të CDU. Ky kongres është njëditor ose më pak mund të jetë. Janë të ftuar kryetarë të partive anëtare të Partisë Popullore dhe unë do të shkoj të marr pjesë. Mendova të organizoj një takim tjetër me shqiptarë, por koha nuk më premton, kështu që unë do të shkoj njëherë tjetër për të takuar emigrantët në Gjermani”, tha Berisha.

 

Fraksion.com