AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, pjesë e Korridorit VIII, e gjitha mbi gjurmë të re

Në kantierin e segmentit Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, pjesë e Korridorit VIII, po punohet me ritme të shpejta.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet në këtë kantier, ndërsa bëri të ditur se ky segment është totalisht mbi një gjurmë të re.

Balluku bëri të ditur se ky segment prej 40 km do të jetë autostradë e kategorisë “A”.

Balluku informoi se shumë shpejt do të nisin në terren punimet për segmentin Kashar-Lekaj. Nga ana tjetër, Balluku tha se po negociohet për gjetjen e kredisë për ndërtimin e bajpasit të Elbasanit.

Korridori VIII, u shpreh Balluku, ka një ndikim shumë të madh edhe në operimin e Portit të Porto Romanos, pasi do të jetë një port që do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut.

“Porti i ri do të ketë edhe një pjesë të rëndësishme që është ajo e NATO-s, ndaj korridori VIII është edhe korridor sigurie, ndaj parametrat e ndërtimit të korridorit janë shumë të rëndësishëm”, deklaroi Balluku.

Nga ana e tij, kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli siguroi se punimet do të kryhen brenda afateve të përcaktuara në kontratë.

“Punimet kanë ecur mirë. Janë realizuar 5,2% e vëllimit të punimeve. Besojmë që në fund të këtij viti të kemi nisur shtrimin e asfaltit”, bëri të ditur kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli.

Fraksion.com