AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Onkologjiku do shkëputet nga QSUNT, krijojmë Institutin e Tumoreve

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha së bashku me ekspertë të opozitës dhe jashtë saj, ka shpalosur Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Shëndetësinë.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se në 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të angazhohet për një reformim transformues të sistemit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë tha Berisha duhet të riorganizohet tërësisht, ndërsa shtoi se do të “GDP për Shëndetësinë që vitin e parë do të rritet në 3 përqind, me synimin e prerë që brenda mandatit të dalë mbi mesataren e rajonit si financim”.

“Ka një institut të sigurimeve shëndetësore. Do i jepet pavarësi nga parlamenti. Do funksionojë si institucion i pavarur”, tha Berisha.

Berisha deklaroi më tej se Onkologjiku do të shkëputet nga QSUNT dhe do të krijohet Instituti i Tumoreve me buxhet të pavarur

“Onkologjiku do të shkëputet nga QSUNT sepse është konstatuar se QSUNT i ka vjedhur dhe shkatërruar të sëmurët. Ajo drejtori famëzezë ka bërë tenderë të përsëritura pa sjellë asnjë ilaç. Askush nuk ka punë më të vështirë se mjekët e onkologjikut, por ama heshtja e tyre nuk mund të pranohet. Po pse duhet të heshtin ata para hajdutëve drejtorë dhe ministra. Dhe kanë heshtur. Ndaj do krijohet Instituti i Tumoreve. Ky institut do ketë buxhetin e vet dhe i garantoj shqiptarët se sado që të kushtojnë ilaçet e tyre, të cilat përdoren në BE, do përdoren edhre në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha po ashtu premtoi se do dyfishohen rrogat për mjekët dhe infermierët dhe se do rritet numri i ilaçeve të rimbursuara dhe cilësia e tyre.

“Shqiptarët në farmaci do marrin ato ilaçe që blejnë qytetarët evropianë në farmacitë e tyre dhe shteti do dyfishojë numrin e barnave që subvencionon, që rimburson. Rimbursimi nga 50 do shkojë drejt 90 përqind. Do kapë standardet. Rrogat, pa diskutim që do të rriten.  Në mandatet që kishim më parë ne mbidyfishuam rrogat e mjekëve dhe infermierëve”, tha Berisha.

 

Fraksion.com