Tabaku: Qeveria, 400 milionë euro për projekte me karakter elektoral
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për përdorim të fondeve publike në shërbim të fushatës elektorale.
Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku tha se qeveria po përgatitet për të paguar 400 milionë euro për projekte me karakter elektoral, në ditët e fundit të janarit.
“400 milionë euro bëhen gati për ditët e fundit të janarit,” deklaroi Tabaku.
“Paguajnë për projekte që nuk i kanë realizuar fare, që as kanë për të përfunduar ndonjëherë, por i duhen si karamele elektorale për t’i inauguruar në ditët e para të fushatës”, tha Tabaku.
Sipas deputetes së PD-së, kjo strategji e qeverisë është e mirënjohur. Tabaku gjithashtu kritikoi qeverinë për mospërmbushjen e projekteve gjatë 11 muajve të vitit dhe për vonesat e qëllimshme, të cilat shfrytëzohen më pas për të justifikuar pagesa masive në prag të zgjedhjeve.
“Ato pak projekte që kanë përfunduar janë realizuar vetëm përmes kontratave të debatueshme PPP, ndërsa buxheti i shtetit përdoret në funksion të interesave elektorale”, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së e mbyll mesazhin e saj duke ftuar qytetarët të reagojnë ndaj praktikave të tilla, të cilat, sipas saj, dëmtojnë transparencën dhe demokracinë.
“Këto 400 milionë euro janë shembulli më i mirë i keqmenaxhimit dhe arrogancës së kësaj qeverie, që vepron gjithnjë në dëm të qytetarëve dhe në favor të pushtetit të saj,” përfundoi Tabaku.
Fraksion.com