Rama: Brenda pesë viteve të ardhshme do ta bëjmë QSUNT një qendër ekselence teknologjike
Nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se do të çelet një kapitull i ri progresi për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me Sheba Medical Center, një nga ekselencat botërore të mjekësisë që nga sot është zyrtarisht partneri strategjik i QSUNT.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek aspekti i investimeve në teknologji, ku theksoi se nuk është “thjeshtë çështje fondesh, por është çështje dijesh”.
“Është çështje e një plani strategjik investimi në teknologji, ku në këtë aspekt Izraeli është lider botëror. Kur vjen puna tek teknologjia, spitali Sheba është një nga pararojat e zhvillimeve teknologjike në mjekësi. Kemi diskutuar, dhe plani i investimeve në spital do të jetë një plan që tanimë do të ketë një oponencë të mjaftueshme dhe do të jetë i asistuar nga këshillat e vazhdueshme të miqve tanë në Izrael, për të bërë hapin e duhur, në drejtimin duhur”, tha Rama.
Rama theksoi më tej se “e treta, që e konsideroj të rëndësishme, është ndihma strategjike për burime njerëzore të spitalit, për mjekët, për administratorët, për të gjitha nivelet e punës, qoftë për viza pune afatshkurta në Izrael, qoftë edhe për qëndrime afatgjata për mjekë të caktuar, që do të përzgjidhen nga miqtë tanë, jo nga miqtë e miqve tuaj”.
Rama shtoi se “kemi garancinë e plotë që edhe nxitja e mëtejshme për të rritur kapacitete tona njerëzore do të bëhet mbi baza meritokratike dhe mbi baza të nevojave reale që ka spitali”.
Po ashtu, theksoi kryeministri, do të ketë edhe ndihma konkrete për pacientë të caktuar duke pasur parasysh nevojën në raste të caktuara për një trajtim që duhet bërë gjetkë.
“Ka trajtime dhe ndërhyrje që mund të bëhen në shumë pak vende të Evropës apo botës. Jam shumë mirënjohës për një angazhim të spitalit Sheba për të trajtuar rastet e rënda për fëmijët”, tha Rama.
Rama shtoi se “këto ndërhyrje do të bëhen me përfshirjen edhe të mjekëve të QSUNT-së që do të jenë të pranishëm për të parë, për të mundësuar dhe rritur në aspektin profesional”.
Rama tha se të gjithë duhet t’i dedikohen këtij projekti.
“Miqtë nga Izraeli nuk kanë këtu asnjë interes, nuk janë këtu për të fituar asgjë, as para, as reputacion, as ndonjë favor tjetër nga Shqipëria. Janë këtu për të na mbështetur. Janë këtu për t’i kthyer mbrapsht popullit shqiptar, në fushën e tyre, një borxh moral për çfarë populli shqiptar bëri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.
Rama tha se “do të ketë një person të dedikuar këtu nga spitali Sheba”.
“Qeveria do t’i përkushtohet planit në mënyrë serioze, pasi në fund të ditës ai plan ka edhe një faturë”.
Rama theksoi se “do bëjmë gjithçka ta përballojmë nga pikëpamje e infrastrukturës”.
“Brenda pesë viteve të ardhshme do ta bëjmë QSUNT një qendër ekselence teknologjike, ky është objektivi dhe kjo është plotësisht e mundur”, tha Rama.
Fraksion.com