“U bënë gjyshër në burg”, ish shoferi i Ardi Veliut: Edhe në komunizëm nuk futej në burg një familje e tërë!
Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë vendimin më 31 janar për Sokol Idrizaj, ish-shoferin e ish drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, në seancë Sokol Idrizaj ka deklaruar: “Edhe në komunizëm nuk futej në burg një familje e tërë, mediat kanë abuzuar me rastin tim, më kanë baltosur mua dhe familjen.
Rrobat e ardhura nga Franca nga vajza ime është konfirmuar nga vetë shteti francez që nuk kanë të vjedhura. Edhe në kohën e Enverit, prokurori nuk dilte dot mbi gjyqtarin, unë jetoj në shtëpi me çati me llamarina, ndërkohë që akuzohemi për fshehje të ardhurash me vlera miliona lekë”-ka deklaruar Idrizaj.
Avokati i tij pohoi se prokuroria në mënyrë të paprecedentë dhe me zell ka ngritur akuzën për grup të strukturuar kriminal tek 4 anëtaret e një familjeje, burrë, grua dhe 2 vajzat.
Sipas tij, Sokol Idrizaj ka 35 vite karrierë në polici dhe është i pajisur me certifikatë sigurie. Kjo çështje është pompuar edhe mediatikisht vetëm se ai ka shërbyer si shofer i Ardi Veliut.
Gruaja e Sokolit, Elda Idrizaj: “U bëra gjyshe në burg, ne jemi familje e rregullt, vajza sillte rroba për t’i shitur online me qëllim për disa të ardhura më shumë, na është shkatërruar jeta nga kjo histori, ç’lidhje kemi ne me grup të strukturuar kriminal?”.
Egi Idrizaj: Ta dija që për një faqe online shitje do përfundoja këtu nuk do merresha, unë kam djalin 1 vjeç prokuroria kërkon 10 vite burg
Bora Idrizaj: Nga kjo histori kam ngelur pa punë, na është shkaktuar traumë, jam vetëm 22 vjeç.
Fraksion.com