PD: Emigrantët të votojnë edhe me pasaporta apo ID të vendit ku jetojnë
Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një konferencë për mediat ka përsëritur sërish kërkesën e PD-së që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë edhe me pasaporta apo ID të vendit ku jetojnë.
“Është një kërkesë e vendosur herët që besohet në parimin që sa më shumë zgjedhës të votojnë aq më shumë është efektive e drejta votës. Në parimin që ata që garojnë nuk përzgjedhin votuesit e tyre. Në parimin se sa më shumë votojnë aq më papërshkueshëm është rezultati i votimit. Rreth 98% janë kryesisht vende të BE, SHBA, dhe Kanada”, tha Bylykbashi.
“Qëndrimi jonë politik është që të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës. Kjo vjen e para në raport, krahasuar me nëse do të marrin në kohë ose jo zarfin apo nëse KQZ do të jetë në gjendje të bëjë gati materialet dhe nëse unë duhet të paguaj ose jo”, tha ndër të tjera Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit “nëse një zgjedhësi i mohohet e drejta për tu regjistruar nuk do t’i vijë kurrë e drejta për të votuar. Jemi gati të mbështesim të gjitha zgjidhjet e tjera që e ndihmojnë këtë çështje. Pa u zgjidhur kjo çdo gjë tjetër bëhet nul”.
“Nëse nuk zgjidhet e drejta votës, aspektet teknike procedurale, apo financiare janë më pak të rëndësishme, sepse do të thotë se qeveria ka selektuar kush do të votojë në favor ose jo kundër saj”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi tha se PD “nuk ka asnjë ekuivok, çdo shtetas shqiptar që mund të identifikohet në mënyrë të besueshme duhet të votojë”.
“Kemi kohë që të përafrojmë qëndrimin, mazhoranca dhe Edi Rama, të caktojë personat përgjegjës për të dakordësuar”, tha Bylykbashi.
“Pa këtë nuk mbështesim propozimet, duhet të bëhet çdo përpjekje për ta mundësuar dhe çdo lehtësi teknike, qeveria të tregojë gatishmërinë”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso u shpreh se “ka shqetësime të dakordësuara midis palëve politike, por jo një draft”.
“Ne jemi të përkushtuar të zgjidhim çdo problematike të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ka një pafundësi të shtetasve shqiptare ose kanë dokument të skaduar ose shtetas të cilët tentojnë të aplikojnë me dokumentin biometrik dhe nuk ju merret dokumenti. Pa adresuar këtë problematikë çdo gjë është e kotë”, tha Bylykbashi.
Fraksion.com