AktualitetTë fundit

“Parandalimi i flukseve të emigrantëve të paligjshëm”, Roja Bregdetare nis Kontingjentin VII në detin Egje

Në Distriktin e Jugut, Pashaliman, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së Kontingjentit VII të anijes “Butrinti” të Forcës Detare/Rojës Bregdetare, i cili do të marrë pjesë në operacionin e NATO-s në detin Egje.

Në ceremoni mori pjesë zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Altin Kurti, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse falënderoi dhe vlerësoi kontributin e deritanishëm të efektivëve të Forcës Detare. Ai theksoi se: “Pjesëmarrja e Forcës Detare në këtë lloj misioni të rëndësishëm të NATO-s është histori suksesi, duke filluar nga kontingjenti i parë në korrik të vitit 2023 e deri te Kontingjenti i 7-të që po niset sot. Histori suksesi është edhe pjesëmarrja e anijes “Butrinti” dhe ekuipazhit të saj për herë të dytë, krahas dy anijeve të tjera të mëparshme “Lissus” dhe “Oriku” e porsa kthyer nga misioni, ku Forca Detare shqiptare në të gjitha këto misione ka dhënë një kontribut të çmuar në shpëtimin e jetëve njerëzore, mes të cilëve gra e fëmijë në kushte tejet të vështira. Çdo kontingjent ka ngritur më lart imazhin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura, duke shkruar faqe të reja nderi dhe përkushtimi në operacionet e NATO-s”.

Komandanti i Forcës Detare/Rojës Bregdetare, kundëradmiral Adnand Agastra, u shpreh se: “Angazhimet tona, si në detin Egje ashtu edhe në operacione të tjera, janë një kontribut i prekshëm dhe i rëndësishëm për Aleancën. Jam i bindur se ky përkushtim do të vazhdojë me sukses edhe në të ardhmen, duke rritur peshën e kontributit që Shqipëria jep për NATO-n.

Misioni ka për qëllim parandalimin e flukseve të emigrantëve të paligjshëm dhe më e rëndësishmja, shpëtimin e jetëve të personave në rrezik në ujërat e detit Egje.

Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e Flamurit Kombëtar nga komandanti i Forcës Detare/Rojës Bregdetare nga kundëradmiral Adnand Agastra, te komandanti i kontingjentit, kapiten i rangut të tretë Mario Myftari.

030

050

100

 

Fraksion.com