AktualitetPolitikëTë fundit

“Mos, se e ulët shumë korrentin”, Rama i përgjigjet komentuesit: Si askund tjetër rrotull nesh, falë investimeve masive në këto vite

Kryeministri Edi Rama tha sot se çmimi i energjisë është ulur si askund tjetër rrotull nesh, falë investimeve të bëra masivisht në këto vite.

Në rubrikën më të fundit të publikuar në rrjetet sociale ku i përgjigjet komenteve të ndjekësve, kryeministri Rama veçoi mesazhin: “Mos, se e ulët shumë korrentin, ç’bëni kështu talleni me njerëzit, e hani sapunin për djathë.”.

“Krenari shkruan nga Greqia dhe qan hallin e njerëzve që po i tallim, po i tallim se po ulim çmimin e energjisë dhe në fakt jo pak, po 10,5% për kilovat. Ulet çmimi i energjisë si askund tjetër rrotull nesh, falë investimeve të bëra masivisht këto vite. Rezultate të arritura në transformimin rrënjësor të sektorit që – e mbani mend që çfarë mysybeti ishte – por edhe falë qasjes tonë gjithmonë lidhur me zotimin për t’i bërë njerëzit pjesë të suksesit të reformave”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “prapë se prapë fjala e keqe fluturon pa të keq deri edhe në përqeshjen e popullit që e haka “sapunin për djathë” të qeverisë, hajde punë e madhe, përqeshja”.

“Unë jam i bindur se Krenari jo vetëm nuk e di se sa më e shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai në Greqi, por nga mënyra si flet duket se bën pjesë tek ata që thonë: Shqipëria vendi më i shtrenjtë i Evropës. Atëherë, Krenar, shikoji çmimet për kilovat-orë në Greqi dhe Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8,5 lekë, Greqia është thuajse trefish 22 për kilovat, Italia 33 për kilovat, Gjermania 40 për kilovat dhe më e ulëta është Hungaria, që prapë është rreth 20% ose pak më shumë më lart se ne”.

Ndërsa duke iu përgjigjur një tjetër komenti, atij të Gëzim Markut, që shkruan: “O medet sa po talleni me shqiptarë 700 kilovat janë shumë pak”, kryeministri Rama tha se “700 kilovat janë pak dhe i qan hallin popullit shqiptar se po e tallim ne. I them se në kategorinë deri 700 kilovat hyjnë mbi 1 milion konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi janë më pak se 100 mijë konsumatorë, të cilët kanë edhe shtëpi më të mëdha, kanë edhe të ardhura më të mëdha, kanë edhe shpenzime më të mëdha të energjisë dhe prandaj do paguajnë edhe më shumë se të tjerët. Deviza jonë nuk lëviz: Kush fiton më pak paguan më pak, kush fiton më shumë, patjetër që do të paguajë më shumë”.

 

Fraksion.com