Kisha Orthodhokse: Kryepeshkopi Anastas në gjendje të qëndrueshme. Ka një përmirësim të vogël!
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me anë të një njoftimi për mediat, ka dhënë detaje sa i përket gjendjes shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Bëhet me dije se kur kanë kaluar rreth dy javë nga ndërhyrja të cilës iu nënshtrua, kryepeshkoi Anastas ndodhet në gjendje të qendrueshme, madje ka edhe një përmirësim të vogël.
Kryepeshkopi është vizituar në spital nga përfaqësuesi i Patriarkanës Ekumenike në Athinë, Hirësia e Tij, Mitropoliti i Laodikesë, z. Theodhorit, i shoqëruar dhe nga Episkopi i Krujës, Anastas Mamaj.
Njoftim për shtyp
Në Spitalin “Evangelismos”, ku ndodhet i shtruar në Njësinë e Kujdesit Intensiv Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Shqipërisë, z. Anastas, pas një operacioni kirurgjikal, erdhi sot për vizitë përfaqësuesi i Patriarkanës Ekumenike në Athinë, Hirësia e Tij, Mitropoliti i Laodikesë, z. Theodhorit.
Hirësia e Tij, Mitropoliti i Laodikesë, u takua me Episkopin e Krujës, z. Anastas, dhe me priftërinjtë që e shoqëronin, në Kishën e Ungjillëzimit, në spital, ku kryen së bashku një lutje për shëndetin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë. Më pas, Hirësia e Tij i përcolli Episkopit të Krujës, z. Anastas, urimet e Patriarkut Ekumenik, si dhe urimet e tij personale.
Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës, e vuri në dijeni për gjendjen shëndetësore të Kryepiskopit, e cila mbetet e qëndrueshme, me një përmirësim të vogël. Më tej, ai shprehu falënderimet e tij të përzemërta për interesimin, lutjet dhe urimet e Patriarkut Ekumenik, duke i kërkuar atij që t’a falënderojë Patriarkun Ekumenik përzemërisht dhe me respekt për interesimin e treguar.
Fraksion.com