AktualitetRajoniTë fundit

Gjykata Penale liron nga akuzat organizatorët e dhunës në Kuvendin maqedonas

Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi më 23 janar të lirojë nga ndjekja penale ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vladimir Atanasovski, të cilët ishin akuzuar si “organizatorë të ngjarjeve të dhunshme” në Kuvendin maqedonas më 27 prill 2017.

Vendimi i gjykatës u bazua në mendimin e Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që sugjeronte zbatimin e Ligjit për amnisti të vitit 2018.

Të akuzuarit u përballën me akuzën :“Kanosje terroriste e rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Gjykatësi Ilija Trpkov shpjegoi se ai personalisht, dhe Këshilli ende qëndrojnë në mendimin se qëllimi i ligjvënësve nuk ka qenë që të amnistojë organizatorët.

“Por, në dispozitat e Ligjit për amnistinë, ekziston një lidhje sipas së cilës Prokuroria Publike dhe ajo e Apelit, konsiderojnë se këta të pandehur nuk janë persona që kanë vepruar në kundërshtim me autoritetin e tyre zyrtar gjatë kryerjes së veprës penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues”, tha gjykatësi Ilija Trpkov, duke nënvizuar se vendimi për amnisti, ka të ngjarë të ngjallë edhe emocione.

Ky ishte procesi i dytë gjyqësor ndaj “organizatorëve të ngjarjeve të 27 prillit”.

Në gjykimin e parë, që përfundoi në korrik të vitit 2021, Veljanovski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim. Ish-ministrat Janakievski dhe Ristovski morën dënime prej gjashtë vjet e tre muaj, ndërsa ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski, u dënua me gjashtë vjet burg.

Por, në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë. Ndër arsyet për anulimin e këtij vendimi ishte se gjykata e shkallës së parë kishte injoruar ankesat e të akuzuarve kur kërkuan amnisti, sipas Ligjit për amnisti, për ngjarjet e dhunshme në Kuvend. E njëjta lëndë, më vonë u kthye në rigjykim. Ndërkaq, me vendimin e fundit, gjykata ndërprenë të gjitha procedurat gjyqësore ndaj katër të akuzuarve.

Me të njëjtin ligj, në një procedurë tjetër, u liruan edhe disa ish-deputetët Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Krsto Mukoski, Ljupcho Dimovski, Johan Tarçulovski, si dhe udhëheqësit e protestave “Për Maqedoninë e përbashkët”, Boris Damovski, Bogdan Ilieski, Vlado Jovanovski dhe Igor Durlovski.

Çka ndodhi më 27 prill 2017?

Me 27 prill të vitit 2017 u sulmua Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Gjatë sulmit nga një grup i madh protestuesit që kundërshtonin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të këtij institucioni, por edhe ndërrimin e pushtetit që ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski, ishin lënduar rëndë kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, kreu i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Zoran Zaev, deputetja Radmilla Sheqerinska dhe shumë persona tjerë.

Partia e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE-ja, e cila në atë kohë kaloi në opozitë, zhvilloi disa protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, me kërkesën për lirimin e të dënuarve për dhunën në Kuvend.

Për veprën penale “Kanosje terroriste e rendit kushtetues dhe sigurisë”, u dënuan 16 persona me 211 vjet burgim./REL

 

Fraksion.com