AktualitetTë fundit

Gjendet i pajetë 63-vjeçari, kishte humbur prej ditësh kontaktet me familjen

Trupi i pajetë i 63-vjeçarit Engjëll Kanani, i cili dyshohej se kishte rënë në lumin Vjosë është gjetur ditën e sotme.

Kërkimet e policisë kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të tij në tokat e Kafarajt ku dyshohet se ai ka pësuar një infarkt.

Kanani ishte zhdukur prej disa ditësh pasi kishte shkuar për të peshkuar, ndërsa autoritetet kishin zhvilluar kërkime në ujërat e lumit Vjosa.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 18.01.2025, për shtetasin E. K., 63 vjeç, i cili humbi kontaktet me miqtë e tij, me të cilët kishte shkuar për peshkim në lumin Vjosa, më datë 16.01.2025, bëjmë me dije se:

Si rezultat i kërkimeve të vazhdueshme, të kryera gjatë këtyre ditëve, në territorin e fshatit Kashishtë, në zonën përreth dhe në ujërat e lumit Vjosa, nga shërbimet e Policisë së Fierit dhe polumbarët e RENEA-s, ditën e sotme, u gjet trupi i pajetë i shtetasit E. K., në vendin e quajtur “Bunac”, në fshatin Kafaraj.

Nga këqyrja paraprake e trupit të 63-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

 

Fraksion.com