Burrë e grua mbanin në banesë granata dhe municione, arrestohet 44 vjeçarja po kërkohet bashkëshorti
Një 44-vjeçare në Shkodër është arrestuar në flagrancë, ndërsa bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim, pasi mbanin në banesë, 5 granata, 5 ndezës granatash, 1 armë pneumatike, pjesë armësh dhe municion luftarak.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë babai i 44-vjeçares, pasi mbante në banesë, 1 armë gjahu.
Policia ka sekuestruar këto sende që posedoheshin ilegalisht.
Si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të posedimit të disa sendeve, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër organizuan operacionin policor të koduar “Muzgu”.
Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesën e shtetasve E. P. dhe D. H. (bashkëshortë), ku janë gjetur 5 granata, 5 ndezës granatash, 1 armë pneumatike, pjesë armësh dhe municion luftarak. Gjithashtu, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Xh. P. (babai i shtetases E. P.), ku është gjetur një armë gjahu teke.
Në vijim të veprimeve për këtë rast: u arrestua në flagrancë shtetasja E. P., 44 vjeçe, banuese në fshatin Shtoj i Vjetër; u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. P., 72 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër; u shpall në kërkim shtetasi D. H., 49 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com