AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ merr 2.5 miliardë lekë nga buxheti

Qeveria i akordoi në mbledhjen e sotme shtesë fondesh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të datës 11 maj.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se me propozimin e ministrit të Financave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i shtohet fondi prej 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Kjo shtesë detajohet që do të përdoret për shpenzime korrente dhe shpenzime kapitale.

2 460 000 000 (dy miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë përdoren në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale” dhe 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

Efekti financiar përballohet nga fondi për zgjedhjet e përgjithshme, miratuar për vitin 2025.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

Fraksion.com