AktualitetBota+Të fundit

Ushtria amerikane, përgatitje për të dërguar 1,500 forca shtesë në kufi me Meksikën

Ushtria amerikane po përgatitet të dërgojë edhe rreth 1,500 ushtarë aktivë në kufirin me Meksikën, sipas një zyrtari, vetëm dy ditë pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv mbi imigrimin.

Zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej, nuk tha se kur do të dislokohen trupat.

Ata pritet t’u bashkohen rreth 2,200 ushtarëve aktivë, pjesëtarë të Gardës Kombëtare, që tashmë janë vendosur tek kufiri.

Gjatë mandatit të parë, Presidenti republikan Trump urdhëroi dërgimin e 5,200 trupave për të ndihmuar në përforcimin e kufirit me Meksikën. Ish Presidenti demokrat Joe Biden po ashtu dërgoi ushtarë aktivë në kufi.

Në ditën e parë të tij si president, zoti Trump e shpalli imigrimin e paligjshëm emergjencë kombëtare, duke i dhënë ushtrisë amerikane detyrë të ndihmojë me sigurinë kufitare, lëshoi një ndalesë të përgjithshme ndaj kërkesave për azil dhe mori veprime për ta kufizuar të drejtën e shtetësisë në lindje për fëmijët që lindin në tokën amerikane.

Urdhri i tij ekzekutiv i 20 janarit udhëzoi Pentagonin të dërgojë aq forca sa të jetë e nevojshme për të patur “kontroll të plotë operacional ndaj kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara”.

“Brenda 90 ditëve, drejtorët e Departamentit të Mbrojtjes dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare duhet të vijnë me rekomandime nëse ka nevojë për veprime të tjera, përfshirë edhe futjen në fuqi të Ligjit të Kryengritjes së vitit 1807,” thuhet në këtë urdhër.

Ligji për Kryengritjen i vitit 1807 i mundëson presidentit amerikan të dislokojë ushtrinë për t’u përballur me kryengritjet brenda vendit dhe është përdorur në të kaluarën për t’u kundërpërgjigjur trazirave qytetare.

Presidenti Trump u zgjodh sërish president pasi u zotua se do të intensifikojë sigurinë kufitare dhe se do të dëbojë një numër rekord emigrantësh. Ai kritikoi ish Presidentin Biden për nivelet e larta të emigracionit të jashtëligjshëm, ndonëse numri i emigrantëve që po kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kishte filluar të binte shumë pasi zoti Biden i ashpërsoi politikat e tij vitin e kaluar dhe Meksika shtërgoi zbatimin e masave.

Roja Bregdetare, e cila është e angazhuar në sigurinë detare dhe zbatimin e ligjit, njoftoi të martën se do të “shtonte menjëherë” numrin e forcave dhe anijeve në disa zona, përfshirë kufirit juglindor në afërsi të Floridës, për të “penguar dhe parandaluar emigrimin në masë nga Haiti dhe/ose nga Kuba”.

Ky institucion gjithashtu njoftoi se kufiri detar mes Teksasit dhe Meksikës në “Gjirin e Amerikës” është edhe një zonë tjetër e rëndësishme.

Presidenti Trump ka deklaruar se dëshiron ta zëvendësojë emrin e Gjirit të Meksikës me Gjirin e Amerikës./VOA

 

Fraksion.com