AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria për të huajt dhe pak për shqiptarët”, Rama replikon me komentuesit: Dielli nuk mbulohet me shoshë! E di ti miku im sa….

Kryeministri Edi Rama ka replikuar sërish me ndjekësit në rrjetet sociale. Një komentues i ka shkruar kreut të qeverisë në faqen e tij të Facebook se “qeveria investohet në luks dhe gjëra defrimi”, ndërsa shton se “Shqipëria po bëhet për të huajt dhe për pak shqiptarë”.

Duke iu përgjigjur qytetarit, Rama thekson se janë mijëra shqiptarë rezidentë në vend të cilët bëjnë pushimet brenda në Shqipëri. Kreu i qeverisë shton se Shqipëria dikur shihej si “delja e zezë”, ndërsa sot është destinacion për të huajt të cilët kur mbërrijnë në shtëpi paguajnë si për fjetjen ashtu edhe për gjërat që konsumojnë, duke injektuar para në ekonominë shqiptare.

Qytetari: “Shumë investime në luks dhe gjëra defrimi (Shqipëri për të huaj dhe për pak shqiptarë) shpien në varësi nga prurjet e turizmit dhe paqëndrueshmëri ekonomike. Duhen investime në ekonominë bazë që mban popullsinë të lidhur me territorin si në bujqësi dhe industri të lehtë përpunuse, pse jo dhe në naftë e minierale që duhet t’i kthehen shtetit. Falimentimi i shteteve dhe zhytja në borxhe erdhi kur neoliberalizmi i detyroi shtetet të shesin asetet prodhuese me fitim.

Edi Rama: “Shqipëria për të huaj dhe për pak shqiptarë”! Vërtetë e ke? Këta të huaj kur vijnë këtu e marrin ushqimin me vete apo hanë në tryezat e shqiptarëve? Vijnë me krevat në krah apo flenë në hotelet dhe bujtinat e shqiptarëve? Çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm. E di ti miku im sa shqiptarë bëjnë pushime brenda dhe lëvizin në fundjavë? Po flas për shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, jo për ata jashtë.

 

Sipas INSTAT, janë 979 456 shtetas rezidentë shqiptarë që kanë qenë pushues në hotelet dhe bujtinat e vendit gjatë 2024. Nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore. Para se të vinim ne Shqipëria shihej si dele e zezë nga të gjithë dhe turistët që vinin nga jashtë ishin shumica dërrmuese shqiptarë emigrantë dhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Sot jo vetëm këta që janë shtuar por janë shtuar edhe miliona të huaj. Nuk e di, por inati politik e bënka njeriun të verbër dhe shurdh, tamam tifoz futbolli, ndërkohë që këtu të gjithë kemi një flamur, flamurin e Shqipërisë. Dielli nuk mbulohet me shoshë, shqiptarët që luftojnë dhe punojnë dhe që i shohin gjërat e bëra me luftë dhe punë, i kanë të qarta edhe faktet edhe rrugën përpara drejt majës së 2030 në BE.

Fraksion.com