SHBA, 22 shtete ngrenë padi kundër urdhrit të Presidentit Trump për të drejtën e shtetësisë përmes lindjes
Prokurorët e përgjithshëm të 22 shteteve amerikane ngritën padi të martën për të bllokuar masën e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund një praktike imigracioni në Shtetet e Bashkuar të njohur si e drejta e shtetësisë përmes lindjes, e cila garanton që fëmijët e lindur në SHBA janë shtetas pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre.
Urdhri ekzekutiv i zotit Trump i nënshkruar të hënën synon përmbushjen e një premtimi të fushatës presidenciale, por suksesi i tij është i pasigurt, në kushtet kur e drejta e shtetësisë në bazë të lindjes është e parashikuar në kushtetutën amerikane.
Prokurorët e përgjithshëm të shteteve me shumive demokrate dhe avokatët e të drejtave të emigrantëve thonë se çështja e shtetësisë përmes lindjes është e garantuar me ligj dhe megjithëse presidentët kanë autoritet të gjerë, ata nuk janë monarkë.
“Presidenti nuk mundet të shfuqizojë Amendamentin e 14-të me një të rënë të lapsit, pikë!”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Nju Xhersit, Matt Platkin.
Shtëpia e Bardhë tha se është gati të përballet me shtetet në gjykatë dhe i quajti paditë “asgjë më shumë se pjesë e rezistencës së së majtës”.
“Të majtët radikalë ose mund të zgjedhin të refuzojnë vullnetin dërrmues të popullit, ose mund të bashkohen me ne dhe të punojnë me Presidentin Trump”, tha zëvendëssekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.
Prokurori i Përgjithshëm i Konektikatit, William Tong, një shtetas amerikan i natyralizuar dhe prokurori i parë kinezo-amerikan i një shteti amerikan i zgjedhur në vend, tha se padia ishte personale për të.
“Amendamenti i 14-të e thotë qartë se nëse ke lindur në tokë amerikane, je amerikan. Pikë!”, tha ai.
“Nuk ka asnjë arsye ligjore për debat për këtë çështje. Por fakti që Trump është gabim nuk e pengon atë që të shkaktojë dëme serioze për familjet amerikane si e imja”, tha ai.
Në qendër të debatit është e drejta për shtetësi që i jepet kujtdo që lind në SHBA, pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre. Njerëzit që janë në Shtetet e Bashkuara me një vizë turistike ose lloj tjetër vize ose në mëmyrë të paligjshme mund të bëhen prindër të një shtetasi nëse fëmija i tyre lind këtu, sipas Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, thonë mbështetësit e kësaj të drejte.
Por zoti Trump dhe aleatët e tij e kundërshtojnë këtë interpretim të amendamentit dhe thonë se duhet të ketë standarde më të ashpra për t’u bërë qytetar. SHBA-ja është mes rreth 30 vendeve, mes së cilëve edhe Kanadaja dhe Meksika, ku e drejta e shtetësisë garantohet përmes lindjes. Shumica janë në Amerikë.
Shumica e vendeve të tjera e japin shtetësinë bazuar në faktin nëse të paktën njëri prind – ose e thënë ndryshe përmes “së drejtës së gjakut” – është shtetas ose ka një formë të shtetësisë përmes origjinës që mund ta kufizojë shtetësinë automatike vetëm për fëmijët e prindërve që janë në një territor në mënyrë të ligjshme./VOA
Fraksion.com