Berisha: Trump fitoi si shpëtimtar i lirisë së botës
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte sot i pranishëm në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ku vizitoi ekspozitën e artistit Avni Delvina, titulluar “TRIUMPH,” dedikuar Presidentit të Amerikës, Donald J. Trump.
Berisha e vlerësoi rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë me votë të lirë, si ngjarjen më të rëndësishme pas Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së murit të Berlinit.
Gjatë një prononcimi për mediet, Berisha tha se “Trump fitoi më 5 nëntor si shpëtimtar i Amerikës, por edhe si shpëtimtari i lirisë së botës”.
“Zoti i shpëtoi atij jetën në 1 të shumtën e milimetrit dhe ky episod u përsërit edhe më vonë, përsëri Donald Trump arriti të fitojë me 5 nëntor si shpëtimtar i Amerikës, por të jemi realist si shpëtimtari i lirisë së botës”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se nuk mund “të mohohet se pushtimi i fuqisë së SHBA-së nga ekstremi i majtë nga marksistë-leninistë dhe post marksistët, sorosianët, përbënte një rrezik madhor për lirinë, familjen dhe identitetin njerëzor”.
“Flamuri i ekstremit të majtë amerikan ishte flamuri i censurës dhe kjo përbënte një kërcënim të jashtëzakonshëm për lirinë e botës”, tha Berisha.
Kryedemokrati, Sali Berisha shprehu edhe kritika ndaj ish-presidentit Joe Biden.
“Përdori fuqinë e vendit të tij të madh për të falur familjen e vet, e cila nëse ka kryer krime duhej të përballej. Unë nuk e di, por akti i këtij presidenti në largim është akti më i papranueshëm, akti më i paligjshëm në rrafshin moral në radhë të parë, sepse presidenti i SHBA ka të drejtë të firmosë atë që mendon”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi rëndësinë e fitores së Trump për reformimin e SHBA dhe lirinë botërore, duke përmendur edhe ndikimin e Elon Musk për të çliruar Twitter-in nga censura.
“Në fakt fitorja e Donald Trump në këtë aspekt shënon ndryshimin më të madh këtë çerek shekulli. Ndaj dhe t’i urojmë atij, ekipit të tij i përbërë nga gjeni. Të gjithë e duan Elon Musk, por njerëzit e lirë duhet ta duan atë më shumë se për çdo gjë tjetër, për blerjen që i bëri Twitter-it për ta nxjerrë nga kthetrat e censurës”, tha Berisha.
Fraksion.com