Virozat e dimrit, mjekja Lumi: Kryejmë rreth 500 vizita në ditë, me rëndësi vaksinimi te grupet e riskuara
Muaji janar shënon shpesh edhe pikun e prekjes nga virozat e stinës, gjendjet gripale, ku më të riskuarit janë të moshuarit, fëmijët apo personat që janë në kontakt me grupe të mëdha njerëzish gjatë përditshmërisë së tyre.
Poliklinika e Specialiteteve Nr. 1 këtu në Tiranë është një nga qendrat shëndetësore që mbulon një zonë mjaft të dendur në popullsi, ndërkohë që mjekët e poliklinikave dhe ata të shërbimit të urgjencës në QSUNT, flasin për një fluks vizitash dhe shtrime në spitale, për gjendjet më të rënda për shkak të gripit dhe virozave të stinës.
Drita Lumi, mjeke pranë kësaj poliklinike, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, thotë se ka pasur një dyndje vizitash gjatë fundvitit dhe muajit janar.
“Kemi një mesatare prej 3000 vizitash javore, duke përfshirë shërbimin pediatrik dhe atë adult, dhe me një mesatare 500 vizita në ditë, shifër kjo e marrë për të gjitha qendrat shëndetësore që bëjnë pjesë në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 1, vizita me problematika respiratore, viroza stinore tek të rriturit. Vetëm javën e kaluar ishin 138 të tilla, ndërsa pediatrike 17 vizita”, thotë Lumi.
Sipas mjekes, një pjesë e madhe e tyre janë vizita të pacientëve kronikë që ndiqen rregullisht në baza mujore, kurse pjesa tjetër janë pacientë që kanë paraqitur problematika që lidhen me virozat e stinës dhe infeksione të tjera respiratore. Ndërkohë, me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip, prej muajit tetor të çdo viti, ka një rritje të ndërgjegjësimit për kryerjen e kësaj vaksine, sidomos në grupet e riskut.
“Vaksinimi ka ecur mirë, duke qenë se shumica e pacientëve janë të interesuar në kryerjen e saj, duke numëruar një mesatare prej 1500 vaksinimesh në dymujorin e fundit dhe me fluks pacientësh që vazhdon të paraqitet çdo ditë pranë pikave të Qendrës Shëndetësore për ta marrë këtë shërbim. Në rastin e pacientëve që kanë pasur vështirësi në motilitet (lëvizshmëri – shën. i red.), invalidë apo raste të tjera të vështira që nuk kanë pasur mundësi për të ardhur në ambulancë, ne e kemi ofruar këtë shërbim edhe në banesë përmes infermiereve tona. Vaksina kundër gripit sigurisht nuk bën një mbulim universal ndaj çdo lloj infeksioni viral që qarkullon aktualisht, por është efektive kryesisht ndaj shtameve që kanë qenë më qarkulluese në sezonin e fundit. Thënë kjo, vaksinimi shërben në një mbulim dhe mbrojtje të popullatës, sidomos për të kaluar infeksionet gripale me një simptomatikë më të lehtë”, thekson mjekja për ATSH-në.
Grupet më të rrezikuara për t’u prekur janë sigurisht moshat e treta dhe të sëmurët kronikë, të cilët kanë një imunitet pak më të ulët se pjesa tjetër e popullatës, e cila mund t’i përballojë këto infeksione me një simptomatikë minimale.
“Tjetër grup me risk të lartë do të vlerësoja fëmijët, sidomos ata prematurë apo me probleme të zhvillimit dhe fëmijët që bashkëjetojnë në komunitet si çerdhe, kopshte, shkolla ku ekspozimi për një kohë të gjatë pranë njëri-tjetrit sjell lehtësi në përhapjen e infeksionit. Ky është një grup mjaft vulnerabël duke qenë se dhe simptomatika dhe zhvillimi i infeksionit mund të çojë në komplikacione dhe të papritura nga më të ndryshmet që më vonë mund të kenë nevojë për trajtim më intensiv medikamentoz. Po, mund të themi me bindje se jemi në një periudhë me intensitet të lartë të përhapjes dhe infektimit, sidomos fundviti ku edhe për shkak të shtimit të kontakteve të njerëzve me njëri-tjetrin ka shtim të fluksit të infektimeve. Edhe sipas të dhënave të ISHP-së, virusi i gripit A është ai më frekuenti, megjithatë nuk përjashtohen dhe virusi respirator sincicial (më së shumti në moshat pediatrike) etj.”, pohon Lumi.
Siptomatika më karakteristike për gjendjet e gripit janë lodhja, temperaturë subfebrile që zgjat 2-3 ditë, në raste të vështira edhe përtej kësaj kohëzgjatjeje, kollë, dhimbje fyti, konjuktivit (inflamacion i syve), vështirësi në frymëmarrje etj.
“Përgjithësisht shumica e pacientëve arrijnë të menaxhojnë simptomat në kushte shtëpie, por kur këshillat, trajtimi simptomatik, ushqyerja e mirë, hidratimi dhe trajtimi me antigripale nuk arrijnë te menaxhojnë temperaturën dhe kollën, ata mund të paraqiten pranë qendrave shëndetësore, përpara se të drejtohen në spitale. Këshillat pacientët mund t’i marrin nga mjeku i familjes ose të telefonojnë në numrin 127, por gjithmonë një vlerësim fizik pranë ambienteve të ambulancës këshillohet kur simptomat zgjasin më shumë se 2-3 ditë. Një vlerësim bëhet në ambulancë fillimisht, po ashtu edhe një bilanc analizash dhe trajtim fillestar, por ka raste kur temperatura është rezistente dhe e zgjatur. Këto janë dhe rastet që referohen drejt një institucioni më të specializuar. Apo kur kolla dhe shenjat respiratore bëhen më të thella dhe ka nevojë për vlerësim me diagnostikim imazherik apo trajtim më intensiv, për shkak të komplikacioneve të mundshme”, shton mjekja.
Sipas mjekes Lumi, trajtimi për gripin në moshat pediatrike nuk ka ndonjë specifikë më ndryshe në krahasim me të rriturit. Qëndrimi në ambiente të ngrohta, veshja e mirë, ushqimi i shëndetshëm, hidratimi i bollshëm me ujë, çajra dhe lëngje frutash, vitaminoterapia, trajtimi me antiinflamatore dhe antigripalë për të ulur temperaturën janë disa nga masat që mjekët sugjerojnë. Këto të paktën janë disa nga masat e para, derisa të marrin një vlerësim nga mjeku.
“Në vendin tonë, të paktën në institucionet shëndetësore publike vaksinimi i fëmijëve bëhet me vaksinën e gripit të miratuar nga MSHMS që është e njëjtë me atë të të rriturve dhe mund të kryhet nga mosha 1 vjeç e lart. Edhe fëmijët mund të kryejnë vaksinimin ndaj gripit çdo vit si të rriturit, për të pasur një mbrojtje më efektive dhe për të ulur mundësinë e shfaqjes së simptomave”, thotë Lumi.
Mjekja e Poliklinikës Nr. 1 thotë se ekspozimi sa më pak me njerëzit që aktualisht janë të infektuar, duke ruajtur distancën, duke shtuar higjienën vetjake, larja dhe dezinfektimi sa më i shpeshtë i duarve, ajrosja e ambienteve të mbyllura, sidomos ato ku qëndrohet gjatë, hidratimi mbi të gjitha, ushqim i pasur me minerale dhe vitamina, veshje dhe ambiente të ngrohta dhe monitorimi i temperaturës janë disa nga këshillat që në japim për të gjitha grup-moshat.
“Një këshillë dhe udhëzim tjetër është për të marrë një vlerësim dhe trajtim në kohë, në mënyrë që të mos kemi pacientë të cilët kanë komplikacione nga gripi, si bronkite, bronkopneumoni etj. Sa më parë të fillojë menaxhimi dhe trajtimi, aq më pak dëme do të kemi në shëndet, në kohë e në kosto. Ngarkesa është vetëm sezonale, kështu që duke bërë të gjithë nga pak pjesën e vet, arrijmë të menaxhojmë situatën”, përfundon mjekja Lum