AktualitetRajoniTë fundit

Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.

Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

“Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiq.

Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.

Mandiq nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj.

Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.

BE-ja ofron ndihmë

Bllokimi i punimeve në Kuvendin e Malit të Zi u diskutua edhe gjatë vizitës zyrtare të komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Mal të Zi, e cila ofroi ndihmën e Komisionit Evropian për normalizimin e punës së Kuvendit.

Delegacioni i BE-së propozoi përfshirjen e Komisionit të Venecias – një organ këshillues i Këshillit të Evropës – në zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe parlamentare.

Edhe pse DPS-ja nuk e refuzoi publikisht këtë propozim, kryeministri malazez, Millojko Spajiq, e akuzoi atë për aktivitete antievropiane.

Deputeti i opozitës nga Social-demokratët, Nikolla Zirojeviq, tha se nuk ka vend për kompromis kur shkelet Kushtetua.

“Nuk e di se si duhet ta komunikojmë, ta shkruajmë, ta vizatojmë, ta këndojmë, si me shumicën parlamentare, ashtu edhe me Delegacionin e BE-së: nuk negociojmë për respektimin e Kushtetutës së Malit të Zi në Kuvendin e Malit të Zi”, tha Zirojeviq.

Kërkesat e opozitës

Përveçse anulimin e pensionimit të gjyqtares Gjuranoviq, opozita kërkon edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze.

Ndryshime të tilla kërkojnë partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, i udhëhequr nga Andrija Mandiq.

Konkretisht, ato kërkojnë që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar kështu me gjuhën malazeze, dhe liberalizim të shtetësisë, përkatësisht t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë.

Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi.

Spajiq tha se për to do të vendoset me konsensusin e të gjitha palëve.

Opozita, në anën tjetër, tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave./REL

 

Fraksion.com