Kush janë udhëheqësit botërorë që uruan Presidentin Trump
Udhëheqësit botërorë uruan të hënën Presidentin Donald Trump për inaugurimin e tij si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
“Presidenti Trump është gjithmonë i vendosur dhe politika e paqes përmes forcës që ai njoftoi ofron një mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është një përparësi kryesore”, tha zoti Zelenski.
Më 22 shkurt mbushen tre vite nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.
Presidenti Trump më parë ka premtuar t’i jap fund luftës Rusi-Ukrainë brenda një dite pasi të bëhej president, apo edhe para inaugurimit të tij. Kohët e fundit, këshilltarët e Trump kanë thënë se zgjidhja e këtij konflikti tani do të marrë muaj ose edhe më shumë.
Presidenti Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin.
Edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu uroi Presidentin Trump për fillimin e mandatit.
“Unë besoj se bashkëpunimi ynë do ta thellojë më tej aleancën SHBA-Izrael”, tha zoti Netanyahu.
“Mezi pres të punoj me ju për të liruar pengjet e mbetura, për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për t’i dhënë fund sundimit politik të këtij grupi në Rripin e Gazës dhe për tu siguruar që Gaza të mos bëhet kurrë kërcënim për Izraelin”, shtoi zoti Netanyahu.
Presidenti Trump mori urime edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe aleatët e Shtetevet ë Bashkuara si Gjermania, Italia dhe Britania.
“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i ngushtë dhe qëllimi i politikës sonë është gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Kryeministri britanik Keir Starmer vuri në dukje marrëdhënien e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
“Për shekuj, vendet tona kanë patur një marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneritet të qëndrueshëm”, tha zoti Starmer. “Bazuar në dashurinë e gjatë dhe lidhjet historike të Presidentit Trump me Mbretërinë e Bashkuar, e di që miqësia jonë e thellë do të vazhdojë”.
Dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Uashington, tha se është “e sigurt se miqësia midis vendeve tona dhe vlerat që na bashkojnë do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, kritikoi një pjesë të fjalimit të Presidentit Trump, në të cilin ai përsëriti dëshirën e tij për të rikthyer kontrollin e Shteteve të Bashkuara mbi Kanalin e Panamasë.
Shtetet e Bashkuara i dhanë plotësisht kontrollin e kanalit të rëndësishëm strategjik Panamasë në vitin 1999.
“Në emër të Republikës së Panamasë dhe popullit të saj, unë duhet të shprehë kundërtshtim të plotë të pjesës së fjaimit të Presidentit Donald Trump në lidhje me Panamanë dhe kanalin e saj”, tha zoti Mulino përmes një deklarate.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi presidentin Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Në një letër drejtuar tij, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.
Osmani përmendi, gjithashtu, përkushtimin e Trumpit për të avancuar rrugën që çon në njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe tha se si presidente e Republikës së Kosovës, ndan bindjen se kjo do t’i kontribuojë edhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian.
“Lidershipi dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri”, tha Osmani në letrën e shpërndarë në X.
Aty, po ashtu, theksohet se “Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”.
“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha Osmani dhe shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.
Trump u betua më 20 janar si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë detyrë, ai shërebu edhe gjatë viteve 2017-2021.
Në fjalimin e parë pas betimit, Trump u fokusua kryesisht në çështjet e brendshme, duke thënë se “epoka e artë e Amerikës fillon tani”.
Fraksion.com