“E ka dashur dhe e do pushtetin më shumë se të gjithë*, Arian Çani: Edi Rama është një rast për t’u studiuar!
I ftuar në emisionin Dekalog në DritareTV nga Roland Qafoku, gazetari Arian Çani ka folur për kryeministrin Edi Rama dhe disa nga cilësitë që e veçojnë atë nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri.
Çani ka theksuar se Edi Rama ka pasur një dëshirë të jashtëzakonshme për pushtet që nga vitet e rinisë së tij, duke e krahasuar atë me Sali Berishën dhe politikanët e tjerë.
“Personi që mori pushtetin në vitin 2013, Edi Rama e do dhe e ka dashur pushtetin më shumë se të gjithë aktorët e tjerë politikë.
Mbaj mend që në rrethin tonë të gazetarëve e diskutonim shpeshherë se çfarë është ky lloj njeriu, ka një tip shumë të veçantë.
Ai gjithmonë ka dashur të shquhet, të dallohet, të mos ishte si të tjerët. Sigurisht, suksesi i tij vjen edhe nga karakteri që ka, ai arrin të bëjë diçka që të gjithë e duam, por jo të gjithë mund ta bëjnë dot. Edi Rama është super i zoti. Rama ka një ambicie të tejskajshme.
Edhe Sali Berisha e do shumë pushtetin, por nuk ishte i zoti që ta zgjaste aq shumë sa Edi Rama. Kjo e ndryshon Edi Ramën nga gjithë të tjerët.
Nuk lodhet, sepse politika është i vetmi ushqim për Edi Ramën. Edi Rama është mirë kur është keq. Sa herë që situata është e qetë, Rama krijon një krizë. Edi Rama është një rast për t’u studiuar”- tha Arian Çani.
Fraksion.com