”Drejtësia vonon po nuk harron”, 21 Janari, Rama: Fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur
Sot shënohen 14 vite nga 21 Janari 2011, ku gjatë një proteste të Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë mbetën të vrarë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale shkruan: “”Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…”.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani deklaroi një ditë më parë se janë kryer veprime të shumta hetimore sa i takon dosjes së vrasjes së 4 protestuesve para Kryeministrisë në protestën e 21 Janarit 2011.
Gjatë një bashkëbisedim informal me gazetarët, kreu i SPAK tha se hetimet po vijojnë intensivisht dhe pasi të grumbullohen provat do të vijojë dhe përballja.
I pyetur nëse është identifikuar emri i ndonjë ish-zyrtari të lartë dhe a do të thirren persona të tjerë për t’u pyetur, Dumani u përgjigj se “për pyetjen e parë nuk shprehem. Për të dytën, është kompetencë e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Po bëhen veprime të shumta hetimore. Unë personalisht, preferoj që dëshmitaret t’i thërras të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen t’i ballafaqoj”.
Fraksion.com