Topalli takim me diasporën në Itali: Shqiptarët që votojnë për ndryshimin janë patriotë të vërtetë
Drejtuesja politike për Diasporën në PD, Jozefina Topalli, ka ndarë përmes një postimi në Facebook emocionet dhe frymëzimin nga takimet me diasporën shqiptare në Itali. Ajo e përshkroi entuziazmin dhe pasionin e shqiptarëve për vendlindjen si të zjarrtë dhe frymëzues.
“Takimet me shqiptarët në Itali janë gjithmonë të zjarrta dhe frymëzuese,” shkroi Topalli. Sipas saj, diaspora jo vetëm që ruan një lidhje të fortë me atdheun, por edhe shpreh dëshirën për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.
Topalli theksoi rëndësinë e regjistrimit dhe votimit nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. “Shqiptarët që regjistrohen dhe votojnë për ndryshimin janë patriotë të vërtetë, që i tregojnë botës se dashuria për atdheun shkon përtej kufijve,” shtoi ajo.
Në mesazhin e saj, ajo rikujtoi se deri më 4 mars shqiptarët kanë mundësi të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje, duke theksuar se ky është një moment vendimtar për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë.
“Regjistrohu, voto, ndrysho. Shqipëria ka nevojë për ty!” ishte thirrja e Topallit, duke apeluar për pjesëmarrje masive të diasporës në zgjedhje.
Fraksion.com