AktualitetTë fundit

Gjirokastër – Pranga punonjësit të policisë kufitare, pezullohen dy të tjerë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë inspektorin S. K., punonjës i policisë kufitare në Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

AMP njofton se punonjësi i policisë “gjatë drejtimit të mjetit tip “Seat”, është përplasur me një automjet tjetër ku si pasojë kanë mbetur të dëmtuar pasagjerët e mjetit “Opel”, shtetasja A. R. dhe shtetasi i mitur G. R., të cilët pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë larguar për në banesë dhe ndodhen jashtë rrezikut. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv”.

Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Konkretisht janë pezulluar nga detyra inspektor L. K., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë dhe inspektor O. B., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë

Sipas AMP-së, nga hetimet e thelluara dhe intensive nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u bë i mundur dokumentimi dhe sigurimi i provave mbi dyshimet se këta punonjës policie kishin lejuar kalimin në territorin e Shqipërisë të automjetit të markës “Toyota Avensis” pa dokumentacionin përkatës, duke mos ndjekur procedurat ligjore me qëllim trafikimin.

 

Fraksion.com