Celibashi: Të zgjatet vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit për votuesit nga jashtë
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, gjatë një konference për shtyp bëri të ditur se do t’i kërkojë qeverisë që të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Në lidhje me dokumentet e identifikimit, sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, rezultojnë se janë 435 690 shtetas me të drejtë vote që iu skadon letërnjoftimi elektronik deri më datën 15 maj 2025. Janë 600 248 shtetas me të drejtë vote të cilëve u skadon pasaporta biometrike deri më 15 maj 2025. Rezulton që 209 931 shtetas me të drejtë vote të cilëve u skadon edhe letërnjoftimi, edhe pasaporta biometrike deri më datën 15 maj 2025. Ndërkohë janë 160 213 shtetas të cilët nuk kanë disponuar asnjëherë një dokument identifikimi”, tha Celibashi.
“Duke marrë në konsideratë këto numra i kërkojmë Këshillit të Ministrave të zgjasë nëpërmjet aktit normativ vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit të paktën për kategorinë e zgjedhësve shqiptarë të cilët banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, tha Celibashi.
Celibashi theksoi se ka një numër të madh të atyre që kanë aplikuar deri tani dhe nuk kanë një dokument identifikimi të vlefshëm, që është rreth 800.
“Nga komunikimet dhe kontaktet që kemi pasur me përfaqësues të zgjedhësve që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, ky numër është më i madh, por një pjesë e tyre nuk kanë aplikuar, pasi kanë konsideruar se fakti që nuk zotërojnë një dokument identifikimi të vlefshëm e kanë parë të arsyeshme të mos aplikojnë”, tha Celibashi.
Fraksion.com