Berisha prezanton programin për shëndetësinë: Do të ndjekim modelin gjerman
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prezantuar sot programin për shëndetësinë. Sipas Berishës, PD do të ndërmarrë një reformë të thellë shëndetësore bazuar në modelin gjerman.
“Këto politika synojnë që qytetarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime plotësisht të përballueshme. Ata nuk do mund të paguajnë kurrë më shumë se mesatarja e vendeve të rajonit”, tha Berisha.
Berisha shtoi se buxheti për shëndetësinë do të dyfishohet.
“Do të ndërpriten menjëherë dhe do të vendosen para ligjit të gjithë aktorët e krimit të koncesioneve në sistemin e shëndetësisë që i kushtojnë buxhetit 300 milionë euro”, tha Berisha.
Kryedemokrati shtoi më tej se qeveria PD-së do të garantojë çdo ilaç dhe pajisje për të sëmurët neoplazikë.
Sipas Berishës do të krijohet një “fond i veçantë nëpërmjet një takse mbi të gjithë agjentët kancerogjenë, që janë të njohur si të tillë, siç është duhani, për shembull, por jo vetëm”.
“Së dyti, është shumë normale që të ardhurat nga Lotaria Kombëtare, një pjesë e tyre të përcaktohen për këtë sëmundje. Opsion tjetër është një bashkëpunim midis institutit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, praktikë kjo që bën të mundur porosinë në sasi më të madhe dhe rrjedhimisht me çmime më të arsyeshme. Qeveria do të investojë fuqishëm për ripërtëritjen e të gjitha aparaturave të sëmundjeve neoplazike”, tha Berisha.
Berisha u ndal dhe te marrja e detyrës nga presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Berisha e konsideroi fitoren e Trump “një mrekulli të vërtetë për njerëzimin”.
Sa i takon shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, kryedemokrati tha se “do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re, sipas rregullave që ekzistojnë, që ky vendim strikt antiopozitë, ky grusht shteti brenda shtetit, ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund. Sigurisht do të kërkoj”.
“Natyrisht, unë gjer sot, kam patur një vendim që nuk bëj lobim, nuk kërkoj që të heqin vendimin, se i kam hedhur në gjyq. Tani, pa diskutim do të kërkoj sipas rregullave që kanë, të shqyrtohet një vendim që ka në bazë, lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit”, tha Berisha.
Fraksion.com