AktualitetBota+Të fundit

Ukraina godet depo nafte brenda Rusisë

Ukraina mori të shtunën përgjegjësinë për dy sulme ndaj depove të naftës në pjesën perëndimore të Rusisë, akti më i fundit i fushatës ajrore të Kievit kundër objektivave strategjike ruse.

Shtabi i Përgjithshëm i Kievit tha se forcat e tij kishin goditur gjatë natës depot që ndodhen në rajonet Kaluga dhe Tula e që kanë shërbyer për të mbështetur përpjekjet e Moskës kundër Ukrainës.

Dëmet janë ende duke u vlerësuar, thuhej në deklaratë.

Guvernatori rajonal i Kalugës, Vladislav Shapsha njoftoi në një postim në Telegram për shpërthimin e një zjarri në qytetin Lyudinovo, pas goditjes së një zone industriale. Ai tha më vonë se shtatë drone ishin rrëzuar.

Forcat ukrainase kanë shtuar sulmet brenda Rusisë, kryesisht ndaj depove të naftës dhe objekteve që prodhojnë mjete ushtarake, në një përpjekje për në frenuar përparimin e Rusisë në Ukrainën lindore.

Rusia ka kryer gjithashtu sulme ajrore të rregullta ndaj qyteteve të Ukrainës. Të shtunën katër persona u vranë pas një sulmi me raketa në qendër të Kievit.

Ndërsa lufta ndodhet pothuajse në vitin e tretë të saj, Ukraina dhe Rusia janë përpjekur të forcojnë pozitat e tyre në fushëbetejë përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump më 20 janar. Zoti Trump ka thënë se do t’i japë shumë shpejt fund luftës./voa

 

Fraksion.com