VanHorn: Nderimi nga Shqipëria i kryekapterit Vogel, testament i partneritetit tonë si aleatë të NATO-s
Kryekapteri John Vogel është larguar sot nga Forcat Ajrore të SHBA. Me këtë rast, u organizua në bazën ajrore të Farkës një ceremoni largimi, ndërsa të pranishëm ishin, E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe gjeneral lejtnant Arben Kingji.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë kohës së angazhimit të kryekapterit Vogel në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria zhvilluan konsultimet e para dypalëshe të mbrojtjes që nga pandemia COVID, rihapën bazën ajrore të Kuçovës për mbështetjen e operacioneve të mbrojtjes së NATO-s në të ardhmen, mirëpritën Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjeneral Cavoli në Tiranë për të bashkëkryesuar konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm (A5) dhe forcuan mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë.
“Nderimi i MSgt Vogel nga Shqipëria është një testament i partneritetit tonë të bazuar në vlera si aleatë të NATO-s”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.