AktualitetBota+Të fundit

Senati drejt miratimit të ligjit për arrestimin e emigrantëve

Senati po shkon drejt një raundi të fundit të votimit të një ligji që parashikon që autoritetet federale të arrestojnë emigrantët që akuzohen për vjedhje dhe krime të dhunshme dhe që u jep shteteve fuqi për të sfiduar politikat federale të emigracionit, duke i hapur rrugë një qasjeje të ndryshme ndaj emigracionit ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Donald Trump fillon mandatin në Shtëpinë e Bardhë.

Senatorët republikanë, që përbëjnë shumicën në Senat, e kanë shndërruar të ashtuquajturin ligji ‘Laken Riley’ – që mban emrin e studentes së vrarë në shtetin e Xhorxhias nga një emigrant nga Venezuela – në përparësinë kryesore, duke e bërë atë ndoshta edhe ligjin e parë që zoti Trump do ta nënshkruajë si president.

Një pengesë e rëndësishme procedurale u tejkalua të premten kur disa ligjvënës demokratë votuan bashkë me të gjithë ligjvënësit republikanë për ta çuar atë drejt një votimi përfundimtar.

Demokratët, që vitin e kaluar e lanë pas dore një projekt – ligj të ngjashëm, fillimisht e përkrahën diskutimin e hapur për projekt-ligjin, duke sinjalizuar se ishi të gatshëm të merrnin në konsideratë masa goditëse ndaj emigracionit të jashtëligjshëm pas humbjeve në zgjedhje. Megjithatë, shumica e tyre votuan kundër dërgimit të projekt-ligjit drejt një votimi përfundimtar meqë nuk arritën të realizojnë disa ndryshime të rëndësishme për ta.

“Natyrisht, çështja e sigurisë së kufirit ishte një çështje shumë, shumë e madhe në zgjedhjet e nëntorit”, deklaroi drejtuesi i shumicës republikane në Senat, John Thune, ligjvënës republikan nga Dakota e Jugut. Amerikanët“qartazi duan ndryshim të politikave kur bëhet fjalë për sigurimin e kufirit tonë dhe emigracionit”.

Në ditët e para të mandatit të Kongresit të ri, ligjvënësit republikanë sfiduan ligjvënësit demokratë duke u kërkuar që të bashkohen në përpjekjet për të kufizuar emigracionin e jashtëligjshëm dhe për të dëbuar emigrantët që kanë kryer krime. Në disa raste, ata janë bashkuar. Shumica e senatorëve demokratë votuan javën e kaluar për të ndërmarrë hapa drejt miratimit të projekt-ligjit ‘Laken Railey’ ndërkohë që vazhduan të bëjnë thirrje për ndryshimin e tij.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, të gjithë ligjvënësit republikanë, si dhe 48 ligjvënës demokratë, votuan për të miratuar një version të ngjashëm të këtij projekt-ligji këtë muaj. Dhe këtë javë 61 demokratë gjithashtu votuan për një projekt-ligj tjetër që parashikon dëbimin dhe bllokimin e hyrjes në Shtete të Bashkuara të shtetasve të huaj që janë të dënuar për abuzim fizik dhe seksual.

Këto votime u kanë dhënë ligjvënësve republikanë disa fitore të hershme gjatë një mandati ku ata kanë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë, ndonëse projekt-ligjet kryesisht kanë marrë për bazë politikat ku autoritetet federale kanë patur liri veprimi.

Nga momenti kur zoti Trump e fillon mandatin dhe nis përpjekjet për fillimin e operacioneve të dëbimit të gjerë, ligjvënësit republikanë do të përballen me shumë trysni për të përmbushur përparësitë e tyre, duke i balancuar ato me premtimet për të ulur deficitin buxhetor dhe mes shqetësimeve për ndikimin ekonomik, si dhe humanitar, që do të kenë dëbimet masive.

Ligji ‘Laken Riley’ nuk parasheh ndonjë fond të ri për zyrtarët e emigracionit, por këshilltarë demokratë në Komisionin e Senatit për Shpenzimet vlerësojnë se ligji bart një kosto prej 83 miliardë dollarësh në tre vitet e ardhshme, sipas një dokumenti që e siguroi agjencia e lajmeve Associated Press.

Republikanët e kundërshtuan këtë shifër. Në të njëjtën kohë, ata po debatojnë se si ta miratojnë një paketë të madhe fondesh që do t’i mundësonte administratës së Presidentit Trump të shpenzojë deri në 100 miliardë dollarë në masat për të përforcuar kufirin dhe kundër emigracionit.

Demokratët, ndërkohë, po përpiqen t’i japin formë një qasjeje të tyre ndaj emigracionit. Partia është e ndarë ndërmjet atyre që tani mbështesin kufizimet e emigracionit të jashtëligjshëm dhe atyre që thonë se partia duhet të ofrojë ndihmë për emigrantët që tani janë në Shtetet e Bashkuara dhe që po i ikin dhunës dhe përndjekjes në vendet e tyre të origjinës.

“Mendoj se duhet ta dëshmojmë që jemi e vetmja parti që e merr seriozisht çështjen e sigurisë kufitare”, deklaroi Senatori demokrat nga Konektikati, Chris Murphy.

Ai kritikoi ligjin ‘Laken Riley’ ngaqë, sipas tij, ligji parasheh që autoritetet e emigracionit t’i japin përparësi arrestimit të emigrantëve që akuzohen apo që janë dënuar për krime siç janë vjedhjet nëpër dyqane, por që mund t’i detyrojë autoritetet t’i lirojnë ata që janë të dënuar për krime më serioze. Senatori Murphy thotë se ligji vetëm sa “do ta bënte sistemin më të ndërlikuar dhe më kaotik”.

Vetë ligji, ashtu si edhe emri i viktimës Riley, u bë kauza që bashkoi republikanët vitin e kaluar ndërsa kritikuan mënyrën se si Presidenti Biden po menaxhonte çështjen e kufirit. Studentja Riley, e cila po studionte për infermieri, u vra në muajin shkurt dhe Jose Ibarra, një burrë nga Venezuela që hyri në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme dhe të cilit i ishte lejuar të vazhdonte çështjen e tij për emigrim, u dënua për vrasjen e saj.

Senatorët republikanë këtë javë e zgjeruan projekt-ligjin duke përfshirë edhe emigrantët të cilët akuzohen për krime siç janë vrasjet apo plagosjet serioze.

Gjatë fushatës, zoti Trump vazhdimisht e ngriti çështjen e krimeve që kryhen nga emigrantët, por nuk ka dëshmi që emigrantët janë më të prirur të kryejnë krime të dhunshme. Disa studime kanë arritur në përfundimin se emigrantët kanë një nivel më të ulët të krimit se sa ata që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara. Grupet që bëjnë thirrje për politika më kufizuese të emigracionit i kundërshtojnë këto gjetje.

Sipas ekspertëve të emigracionit, në fund ndikimi më afatgjatë i ligjit mund të jetë neni i cili u jep hapësirë ligjore prokurorëve të përgjithshëm në nivel shteti që të ushtrojnë padi ndaj qeverisë federale për dëmet e shkaktuara nga politikat federale të emigracionit.

Ky nen ju jep shteteve kompetenca të reja ndaj politikave të emigracionit tani kur ato po përpiqen të kundërshtojnë vendimet presidenciale të dy administratave, të Presidentit Biden dhe të Presidentit Trump.

Demokratët u përpoqën pa ndonjë sukses që ta heqin këtë nen nga ligji i propozuar, duke thënë se mund të sjellë ndryshime të mëdha në politikat federale.

“E kemi një sistem emigracioni të mbingarkuar dhe në kufi të kapaciteteve dhe proceset tjera gjyqësore vetëm sa do ta bëjnë situatën edhe më kaotike”, thotë avokatja dhe analistja nga Instituti për Politikat e Emigracionit, Kathleen Bush-Joseph/voa

 

Fraksion.com