AktualitetPolitikëTë fundit

GJKKO lë në burg ish-ministrin Beqaj, rrëzon kërkesën për ndryshimin e masës

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të masës “arrest me burg”, për ish-ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ilir Beqaj.

Ky vendim u mor në seancën e sotme, pas kërkesës së ish-ministrit Beqaj për ndryshimin e masës së arrestit me burg në një masë më të butë.

Beqaj akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe grup kriminal.

Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024, për dosjen e fondeve të SASPAC me urdhër të SPAK. Sipas SPAK, të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjetikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars 2024 iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

 

Fraksion.com