Dorëheqja e prefektit të Lezhës, Ndreu: Sajim historish banale
Pas raportimeve në disa medie për dorëheqjen e prefektit të Lezhës, Gjergj Prendi reagoi sot edhe kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.
Ndreu përgënjeshtroi lajmin se Prefekti i Lezhës ka dhënë dorëheqjen nga “përplasja” me kryetarin e Bashkisë. Sipas tij, “ky është një sajim i ulët që s’ka asnjë lidhje me realitetin”.
Ndreu tha se “Bashkia nuk është propozuese e projektvendimit për faljen e detyrimeve, por propozimi ka qenë i një këshilltari”.
“Pra i është kthyer këshilltarit dhe këshillit jo kryetarit! Unë kam shprehur habinë se si i njëjti projekt ka kaluar para 2 vitesh dhe sot jo! Kjo ka të bëjë me argumentimin me dy standarde të stafit juridik, i cili për arsye që i dinë ato kanë kthyer projektvendimin”, u shpreh Ndreu.
Sipas tij, përpjekja për të sajuar një histori përplasjesh është banale.
“Bashkia nuk është propozuese, por është ne te drejtën e vetë që të kërkojë mosaplikimin e dy standardeve për të njëjtën gjë nga disa zyrtarë kushdoqofshin ato! Në këtë rast Prefekti vetë nuk ka qenë në përplasje aspak me ne! Çdo lajm me “përplasje” është truk gazetaresk që në kërkim të audiencës fantazojnë të tilla histori”, vijoi Ndreu.
Prefektura e Lezhës riktheu në dhjetor 2024 vendimin e Këshillit Bashkiak të Lezhës për faljen e tarifave vendore të para vitit 2024.
Fraksion.com