Life StyleTë fundit

Sanremo 2025: Zbulohen bashkëprezantuesit, Carlo Conti e ka zgjedhur ekipin e tij

Carlo Conti, tashmë e kemi kuptuar, kur bëhet fjalë për të zbuluar risitë e edicionit të tij të Sanremos, e bën gjithmonë me stilin e tij të veçantë: ngadalë dhe duke krijuar pritshmëri. Ndryshe nga Amadeus, i cili e njoftoi pjesëmarrjen e Chiara Ferragnit pothuajse një vit përpara debutimit, Conti ka preferuar të presë deri në momentet e fundit, duke ndërtuar një ekip krejtësisht të ri që përfshin figura nga moda, kinemaja, muzika dhe televizioni.

Në natën e parë, ai do të shoqërohet nga dy miqtë e tij të vjetër – Leonardo Pieraccioni dhe Giorgio Panariello, që priten të sjellin humor dhe nostalgji në skenë. Në natën e dytë, në skenë do të jenë Bianca Balti – që ka bashkëprezantuar Sanremon në vitin 2013, Cristiano Malgioglio (i adhuruar nga publiku) dhe Nino Frassica, i cili, me energjinë dhe karizmën e tij, meriton të jetë i pranishëm në çdo program televiziv deri në vitin 2050.

Në natën e tretë, do të ngjiten Miriam Leone (më në fund), Elettra Lamborghini (të cilës i mungonte vetëm Sanremo për të kompletuar suksesin) dhe Katia Follesa. Në natën e katërt, Mahmood, që pritet të shfaqet me disa pamje të jashtëzakonshme, dhe Geppi Cucciari, një prezantuese që meriton të drejtojë një Sanremo të sajin.

Mbyllja e madhe do t’i përkasë Alessia Marcuzzit – që pas një karriere të shkëlqyer më në fund ka shansin e saj – dhe Alessandro Cattelanit, i cili pas shumë spekulimeve mbi drejtimin e Sanremos, më në fund mund të flejë i qetë.

Zgjedhjet e Carlo Contit për prezantuesit bashkëpunues të Sanremos 2025 janë të larmishme, duke pasqyruar botë të ndryshme – modën, kinemanë, muzikën dhe televizionin – me synimin për të kënaqur një audiencë shpeshherë të pakënaqur.

 

Fraksion.com