Rama dhe Koçiu në kantierin e ri në QSUT: Hapësirë multifunksonale me 1400 vende parkimi në ditë
Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm sot në inspektimin e punimeve në kantierin që është hapur në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza për ndërtimin e parkimit të madh dhe një hapësire multifunksonale me 1400 vende parkimi në ditë.
Kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. Sipas tij, kjo strukturë hotelerie do të jetë në dispozicion për familjarët e pacientëve të shtruar, por dhe për studentë, mjekë e bashkëpunëtorë të jashtëm të qendrës, si dhe një hapësirë për helikopterët e urgjencës mbi tarracën e godinës.
“Kjo vepër e re publike do ta kthejë krejt territorin e QSUT në një hapësirë këmbësore, e do të krijojë kushtet për transformimin e saj në një park të madh me pemë, lule e vepra arti”, theksoi Rama.
Ndërkohë, ministrja e MSHMS u shpreh se ndërtimi i kësaj hapësirë multifunksionale do të lehtësojë çështjen e parkimit në QSUT, ku mesatarisht gjatë një muaji qarkullojnë mbi 120 mijë makina.
“Janë afro katër mijë makina të cilat hyjnë në ditë, dhe 120 mijë makina që qarkullojnë brenda muajit duke rritur fluksin e lëvizshmërisë dhe duke krijuar një situatë jo fort të pëlqyeshme për ata që vijnë dhe marrin shërbimet këtu. Këtu nuk marrin shërbim vetëm pacientët, por kjo është një qendër universitare që shërben edhe për trajnimin, rritjen dhe formimin profesional të studentëve, ekspertëve dhe mjekëve që po trajnojnë brezat e rinj të mjekëve”, tha ministrja Koçiu.
Sipas Koçiut, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socialë është duke punuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një godine parkimi me nivele, multifunksionale që do të garantojë heqjen e makinave nga rrugët e brendshme të QSUT-së , duke pastruar gjithë sipërfaqet e brendshme dhe duke dhënë mundësinë që hapësirat e kësaj qendre spitalore të shndërrohen në parqe kreative për të krijuar një ambient më të shëndetshëm për këdo që vjen merr shërbimin aty.
“Qendra që do të ndërtojmë do të ofrojë mundësi jo vetëm për të shtuar kapacitetet e parkimit dhe për t’i dyfishuar ato, duke krijuar 1400 vende parkimi, me vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar, me infrastrukturë të dedikuar për makinat me energji dhe të karikueshme etj”, u shpreh Koçiu.
Fraksion.com