Nën hetim për korrupsion pasiv, GJKKO pezullon nga detyra kryeprokurorin e Sarandës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar pezullimin nga detyra të prokurorit K.LL, njëkohësisht drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) më datë 14.01.2025 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në ngarkim të personit nën hetim, K.Ll.
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të procedimit penal të regjistruar në vitin 2024, për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, SPAK njofton se ka rezultuar se: Personi nën hetim, magjistrati, K.Ll dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë.
“Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij”, njoftoi SPAK.
Fraksion.com