Vengu: 12 ura të reja Bailey këtë vit, lehtësojmë jetën e banorëve në zonat e thella
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se gjatë vitit 2025, planifikohet që të ndërtohen 12 ura të reja “Bailey” në disa nga zonat e vendit, ku ato janë më të nevojshme. Urat, si pjesë që lidhin komunitetet, ndihmojnë jo vetëm në çështjet e sigurisë, por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të vazhdojnë misionin për ndërtimin e tyre.
Ministri Vengu, theksoi se gjatë vitit 2024 janë ndërtuar tetë ura “Bailey” me gjatësi totale prej 207 metrash, duke lidhur komunitete të izoluara dhe lehtësuar jetën e banorëve.
“Plani për 2025 është edhe më ambicioz: 12 ura të reja do të ndërtohen në zonat më të nevojshme të vendit. Puna ka nisur me urën e re mbi lumin Lezedër në fshatin Fshat të Bashkisë Klos”, informoi ministri i Mbrojtjes.
Me ritme të larta dhe angazhim të përbashkët, do të vazhdojmë të afrojmë njerëzit dhe të ofrojmë zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme të komuniteteve tona”, përfundoi ministri Vengu.