AktualitetTë fundit

Prefekti: Reshje të lehta dëbore në qarkun Korçë, shkollat vijojnë normalisht mësimin

Situata në qarkun Korçë është normale duke qenë se reshjet e dëborës kanë qenë të lehta dhe situata e krijuar nga moti i keq i pak ditëve më parë është përmirësuar.

Temperaturat, në zonat malore të këtij qarku, arritën në -8°C. Duke qenë që reshjet janë shoqëruar me erë kjo ka bërë që në disa zona e rrugë të ndryshme të jetë grumbulluar sasi e madhe dëbore.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole, tha për ATSH-në se bashkitë kanë punuar për hapjen e rrugëve dytësore dhe lidhëse, ndërkohë që vazhdon puna për hapjen e rrugëve lidhëse në Panarit dhe Lekas.

Bëhet e ditur se strukturat e Emergjencave Civile nuk raportojnë problematika dhe se procesi mësimor në të gjitha shkollat e qarkut ka vijuar normalisht.

Gjithashtu janë riparuar të gjitha defektet në rrjetin elektrik. Brigatat e OST, Korçë, Elbasan e Tiranë kanë lokalizuar defektin e shkaktuar në linjën e tensionit 110 kv Guri i Kuq-Prrenjas, defekt i cili ka krijuar ndërprerjen e energjisë elektrike në Bashkinë Prrenjas dhe 12 fshatrat e Njësisë Administrative Proptisht, Bashkia Pogradec.

Me ndihmën dhe kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes-AKMC dhe të Institucionit të Prefektit u bë e mundur ardhja e një mjeti me zinxhirë për hapjen e rrugës Qafa e Thanës-kurrizi i Çervenakës i cili do krijojë mundësi OST për riparimin e defektit. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka shkuar mbi 1.5 metra.

 

Fraksion.com